Kilaj paraqitet në Hagë, në mungesë të aktakuzës avokati kërkon lirimin e tij

(Lajm i përditësuar)
Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është paraqitur për herë të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Prokurori i çështjes, Matthew Halling, gjatë seancës së sotme ka treguar se çka është gjetur gjatë kontrollit në banesën e Kilajt.
“Gjatë kontrollit të banesës të z.Kilaj që u bë me 2 nëntor të vitit 2023 ZPS-ja evidentojë dhe gjeti materiale që lidhen me dëshmitarët dhe janë materiale konfidenciale, këto matëriale lidhen drejtpërdrejtë me proceset gjyqësore të DHSK-së dhe ishte informacion konfidencial të cilin z.Kilaj ligjërisht nuk duhej ta mbante dhe s’kishte asnjë autorizmin për të pasur një informacion të tillë”, u shpreh ai.
Halling tha se me materialet që i janë gjetur Kilajt, sipas tij, ai mund të ndërhyjë në procesin e drejtësisë.
“Duke pasur një informacion të tillë, do të thotë që shkeljet e fshehtësisë së procedurës penale dhe kjo është një arsye e bazuar për ne që të kuptojmë që ky material do të përdoret për të ndërhyrë në procesin e drejtësisë dhe pengimin e procesit gjyqësor”, është shprehur ai.
Ndërkaq, avokati i Kilajt, Brien Edwards, ka bërë të ditur se ndaj klientit të tij nuk ka aktakuzë, duke kërkuar kështu lirimin e tij.
“Në qoftëse do të bëhet siç thotë prokuroria, ai duhet të pres derisa të bëhet aktakuza, derisa të konfirmohet pra vendimi, i ndaluar, larg nga shtëpia, larg nga familja e tij, ai do të vazhdojë të jetë në një situatë të cënueshme, larg nga shtëpia e tij, nga ku u mor më 2 nëntor. Ai duhet të pres derisa prokuroria të përfundojë hetimet e veta dhe pastaj të hartojë aktakuzën dhe pastaj ta paraqesi aktakuzën dhe ndërkohë ai nuk mund të bëjë asgjë që ta detyrojë prokurorinë që ta përshpejtojë këtë proces”, është shprehur ai.
Avokati gjithashtu tha se nëse do të kishte aktakuzë, Kilaj sot do të deklarohej para gjykatës.
“Nëse do të kishte një aktakuzë para juve sot z.Gjykatës, z.Kilaj sot do të paraqitej, do të deklarohej dhe nuk do të diskutohej e drejta e tij për të pritur 30 ditë, ai do t’iu thoshte tani menjëherë se nuk është fajtor për asnjë nga akuzat që prokuroria mund të dojë t’i paraqes kundër tij, kaq i përgatitur është ai për të bashkëpunuar plotësisht me këtë trup gjykues, me këtë gjykatë dhe me prokurorinë”, është shprehur tutje Edwards.
Sot paraqitja e parë e Isni Kilajt para Speciales
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë caktuar për sot paraqitjen e parë të ish-kryetarit të Malishevës Isni Kilajt, në orën 10:00.
“Paraqitja e parë do të jetë seancë publike, gjatë të cilës gjykatësi i vetëm siguron që Isni Kilaj është informuar për arsyet e arrestimit të tij dhe se po respektohen të drejtat e tij sipas Ligjit dhe Rregullores, ndër të cilat e drejta për përfaqësim juridik”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Kilaj është transferuar dje në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Urdhri për arrestimin e Isni Kilajt u lëshua nga Prokurorja e Specializuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare sipas Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu arrestimin me mbështetjen e policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Sipas Ligjit, policia në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë për të ushtruar kompetencat që i janë dhënë policisë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?