KFOR-i dhuron pajisje kompjuterike për një shkollë në Klinё

Komanda Rajonale në Perëndim e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO përfundoi një projekt civilo-ushtarak në mbështetje të arsimit në komunën e Klinës.
Në njoftim thuhet se ushtarët italianë të Regjimentit të I-rë Bersaglieri i dhuruan shkollës publike lokale “Shfmu Ismet Rraci” pajisje, duke përfshirë njëmbëdhjetë kompjuterë personalë, një “IQBoard display” dhe një printer “wireless”.
“Kjo nismë do të ndihmojë në forcimin e arsimit lokal shkollor, në përputhje me standardet evropiane, duke i bërë mësimet më interaktive, duke reduktuar kështu mundësinë e braktisjes së shkollës. Është pjesë e një sërë aktivitetesh të rregullta të kryera nga kontingjenti italian i përmendur në mbështetje të nevojave të popullsisë vendase”, thuhet në njoftim.
Në ceremoninë e dorëzimit ishin të pranishëm autoritetet civile dhe ushtarake, duke përfshirë komandantin e Komandës Rajonale Perëndimore, kolonel Francesco Ferrara, këshilltarin për kulturën, rininë dhe sportin, znj. Fatjona Gashi, dhe drejtori i “Shfmu Ismet Rraci”, Blerim Kelmendi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?