Kërkohet që Komisioni hetimor për PTK të vazhdojë edhe në legjislaturën e re
Komisioni vendosi të përmbyllë fazën e intervistimit
Komisioni Hetimor Parlamentar për gjendjen në PTK dhe Vala ka diskutuar në lidhje me mënyrën e vazhdimit të punës pas rrethanave të reja të krijuara lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Me këtë rast u tha se komisioni hetimor duhet të vazhdojë punën edhe në legjislaturën e ardhshme dhe mos t’i dërgohet një raporti Kuvendit, por vetëm të votohet një draft ku legjislatura e ardhshme do të kishte një pikënisje për punën e deritanishme.
Komisioni gjithashtu vendosi që të përmbyllë fazën e intervistimit dhe të kalohet në fazën e përpilimit.
Deputetët gjithashtu thanë se edhe pse puna e tyre është përfunduar vetëm 30 për qind, prokuroria ka bazë në dokumentacionet e tyre që të iniciojnë kallëzime penale.
Kryetari i Komisionit, Visar Ymeri i paraqiti dy mundësitë që komisioni para shpërndarjes së Kuvendit të paraqesë një raport dhe të votohet ose të vazhdohet hetimi në legjislaturën e ardhshme.
Ymeri tha se ky hetim duhet të vazhdohet në legjislaturën e ardhshme, pasi siç tha, raporti i shpejtë mund të ketë mangësi.
“Më mirë është të lihet i hapur për legjislaturën e ardhshme, pasi nëse e përfundojmë shpejt e shpejt raportin, atëherë ai do të kishte mangësi”, tha Ymeri.
Këtë kërkesë e mbështeti deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se deri më tani kanë intervistuar vetëm 30 për qind të dëshmitarëve dhe se hetimet duhet të vazhdojnë në mandatin e ardhshëm.
Vazhdim të hetimit në mandatin e ardhshëm kërkoi dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, por tha se edhe me këtë dokumentacion mund të iniciohet procedura penale.
Kërkesë të njëjtë kishte edhe deputeti Milaim Zeka dhe ai i AAK-së Shkumbim Demaliaj.
Në fund u tha se para votimit të mënyrës si të vendoset, duhet të mbahen edhe dy mbledhje për të votuar mbi mënyrën se si do të vendoset.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?