“Keqtrajtimi i bizneseve”, servisimi i arkave fiskale vetëm në Pejë

Bizneset në Kosovë po alarmojnë për një krizë të re që po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e veprimtarisë së tyre të përditshëm. Arkat fiskale nuk po mund të servisohen askund tjetër përveçse në Pejë.
Me mijëra biznese nga të gjitha anët e vendit po detyrohen të udhëtojnë drejt këtij qyteti për një proces që dikur zgjaste pak minuta dhe bëhej afër qendrave të tyre.
Sot, përveç kostos shtesë financiare, pritjet zgjasin me ditë të tëra, e gjatë kësaj, shumë biznese janë të paralizuara, pa mundësi të lëshojnë kupona fiskalë, duke rrezikuar edhe ndëshkime ligjore.
Kompania “Enternet”, e cila trashëgoi shërbimet e GeKos, ka vendosur të mbyll të gjitha përfaqësitë e saj të shërbimit në Kosovë, përveç asaj në Pejë.
Ndërkohë, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) nuk ka dhënë ende përgjigje për KosovaPress lidhur me këtë çështje.
Pronarët e bizneseve thonë se janë të detyruar të udhëtojnë për të servisuar pajisjet në Pejë, pasi janë të centralizuara në një rajon të vetëm.
Menaxheri i një biznesi në vend, Mentor Berisha thotë për KosovaPress se ngarkesat në qendrat e servisit, veçanërisht tashmë që e njëjta mund të realizohet vetëm në Pejë, po krijon probleme të vazhdueshme për operimin normal të biznesit të tij.
Ai thekson se gjatë verës, periudha e ngarkesave më të mëdha, procesi bëhet edhe më i ndërlikuar për shkak të fluksit të punës dhe nevojës për servisimin e disa pajisjeve njëkohësisht.
“Është shumë problem për neve me funksionu si biznes, duhet me shku në ATK, me marrë ato paragonet, tash mbase e kanë çuar edhe në Pejë se është njëfarë monopoli ndoshta Gekos-i. Dhe tash duhet me shku në Pejë atje, një ditë të humb rrugë, dy ditë në servisim, tash edhe ngarkesa është shumë e madhe se krejt Kosova i çon atje, ata janë shpërndarë pak rajone. Tash besoj se ka me qenë shumë ngarkesë, një javë ka mundësi se vonohet arka fiskale. Nëse një javë nuk punohet me fiskalizim, është edhe pak irrituese ndaj klientit, duhet patjetër të lëshojmë kupon fiskal ashtu siç e kemi për obligim. Është edhe pak irrituese, se menjëherë lypin kuponin fiskale e nuk e kuptojnë se kjo pak ka ndryshuar. S’besoj se kryhet tash për një javë se ka shumë ngarkesa e tij. Neve zakonisht në kohën e verës e kemi shumë ngarkune, kohën e verës e kemi severisimin e arkës fiskale, rreth muajit korrik”, thotëBerisha.
Sipas tij, është e paqartë mënyra se si ATK e ka planifikuar këtë proces.
“Ne i kemi tri arka fiskale që të trija duhet t’i dërgojmë vazhdimisht. Si del për një ditë afati duhet një ditë një, një ditë një dhe një ditë një, e me shku në Pejë, më bërë një javë, ndoshta gjatë muajit me shku rreth pesë herë, ose gjashtë. Është maltretim… ATK-ja nuk e di qysh u e ka mendu këta ose qysh do me zgjedhë. E di se e kanë plane bo njëfarë sistemi të ri të arkave fiskale, po nuk e di tash qysh do të vepron”, shton Berisha.
Një tjetër menaxher biznesi, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, thotë se vonesat për servisim dhe mungesa e informimit janë bërë shqetësim i radhës për ta.
“Po na shkakton shumë problem, dhe është humbje kohe për ne… dhe atë ditë nuk mund të lëshojmë kuponafiskal…është maltretim për biznese…dhe nuk na kanëinformuar”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, kompania “Enternet”, e licencuar si operator ekonomik për pajisje fiskale, ka bërë të ditur se pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ 01/2025 nga Ministria e Financave më 16 prill 2025, ka ndodhur një rënie drastike e kërkesës për pajisje fiskale të reja.
Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Ardian Behluli, thotë se mungesa e transparencës dhe paqartësitë institucionale kanë shkaktuar pasiguri tek bizneset dhe tek operatorët.
“Duke filluar nga data 16 Prill 2025, me publikimin e Udhëzimit te Ri Administrativ për shfrytëzimin e PEF/SF dhe SEF me numër 01/2025 ne Gazetën Zyrtare, nga ana e Ministrisë se Financave, ne kemi hasur ne një rënie drastike të kërkesave për t’u pajisur me Pajisje Fiskale te reja. Krejt kjo është si rezultat i mungesës se transparencës, mungesës së një vizion të qartë për këtë projekt i cili edhe ka krijuar konfuzion tek bizneset, kompanitë e kontabilitetit dhe të gjitha palët e tjera të përfshira në këtë projekt të madh. Ky vendim na ka prekur neve direkt në pjesën operacionale dhe atë financiare duke e përfshirë edhe rrezikun e largimit të shumicës së punëtorëve nga pasiguria e krijuar me këtë vendim. Me këtë Udhëzim të Ri, neve na ndalohet e drejta elementare për të ofruar produktet dhe shërbimet tona. Tash ne kemi analizuar pjesën financiare dhe kemi rënë në përfundim se është një rënie drastike te shitjes se pajisjeve fiskale por edhe të shërbimeve te tjera, e cila automatikisht ka ndikuar në rënie e te hyrave diku rreth 60 për qind nga planet”, thuhet në një përgjigjje me shkrim nga “Enternet”.
Ata thonë se janë të gatshëm të rikthejnë shërbimet dhe të hapin zyrat, sapo të ketë gatishmëri nga ATK dhe institucionet për të ofruar një plan të qartë veprimi dhe për të marrë parasysh kërkesat e tyre të adresuara zyrtarisht.
“Ne këtë moment që po flasim as ne si Operator Ekonomik e as DAF-i apo ATK-ja nuk kanë ndonjë propozim konkret se si do të vazhdojmë tutje. Pra, jemi në një situatë të mjegulluar dhe në një terr total informativ. Për më shumë ne edhe pse kemi insistuar disa herë në mënyrë fomale, ende nuk kemi pranuar asnjë propozim apo përgjigje se si do të veprohet me pajisjet të cilat janë aktive në treg ku rreth 16,000 prej tyre raportojnë ne kohe reale “online dhe on-demand” duke përfshirë shtypjen e QR Code-it (qe mund të përdorët edhe për lojën shpërblyese siç edhe e kanë paraparë më herët). Në momentin që shohim gatishmërinë e ATK-se dhe institucioneve tjera financiare për të dhënë njëvizion të qartë se si do te veprohet me projektin në fjalë dhe i marrin parasysh kërkesat tona të parashtruara në mënyrë formale për pezullimin e Udhëzimit Administrativ për një periudhë tranzitore minimalisht njëvjeçare, ne jemi të hapur dhe të gatshëm të marrim vendimin për të hapur zyrat tona në mënyrë që të ofrojmë shërbimet profesionale duke qenë afër klientëve tanë, respektivisht bizneseve të Kosovës”, thuhet në përgjigje.
Në rast të ndonjë prishjeje, gabimi teknik apo nevoje për servis, pronarët e bizneseve detyrohen të udhëtojnë deri në Pejë për të kryer shërbimin për arkat fiskale. Kështu kostoj e transportit, koha e humbur dhe ndërprerja e operimit për një shërbim po rezultojnë në dëme të drejtpërdrejta ekonomike për mijëra biznese./kp
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?