Kasapolli: Abdixhiku sot do të duhej të jepte dorëheqjen, LDK-ja i ka dhënë mjaftueshëm mundësi

(Lajm i përditësuar)
Kasapolli: Abdixhiku sot do të duhej të jepte dorëheqjen, LDK-ja i ka dhënë mjaftueshëm mundësi
Analisti Gzim Kasapolli ka thënë se Lumir Abdixhiku sot është dashur të japë dorëheqje.
Në emisionin “Click” në RTV21, Kasapolli deklaroi se, sipas tij, një lider me përgjegjësi shtetërore do të duhej të merrte përgjegjësi dhe të largohej nga drejtimi i partisë.
“Nëse Abdixhiku do të kishte pasur një fije logjike burri shtetasi, ky sot do të kishte dhënë dorëheqje. Sot duhet të japë dorëheqje dhe të hapë garë. Mjaftueshëm LDK-ja i ka dhënë shanse Abdixhikut”, tha Kasapolli.
“Fajtori është Abdixhiku”, Kasapolli: Fjalët për karrigen duhet t’ia thotë vetes
Analisti politik Gzim Kasapolli në ”Click” të RTV21 ka kritikuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, duke thënë se deklaratat e tij për ata që “luftojnë për karrige” duhet të adresohen ndaj vetes.
Kasapolli tha se një strukturë politike si LDK-ja, e cila sipas tij promovon demokracinë, pas tri palë zgjedhjeve të humbura duhet të kërkojë përgjegjësi nga udhëheqja e saj.
“Abdixhiku në një moment thotë se ‘ata që po e duan karrigen dhe ata që po luftojnë për karrige’. Këto fjalë Abdixhiku do të duhej t’ia thoshte vetes, jo dikujt tjetër. Një strukturë si LDK-ja, e cila gjithmonë proklamon demokraci, në tri palë zgjedhje të humbura fajtori do të duhej të ishte në krye, dhe fajtori është Lumir Abdixhiku”, tha Kasapolli.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?