Kasanof: Po e ndihmojmë Kosovën për hetimin e sulmit në Ibër-Lepenc, ishte një sulm i tmerrshëm

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof, thotë se “çështjet që ndjek SPAK do të arrijnë kudo ku të çojnë provat”.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Kasanof thotë se në takimet që ai pati gjatë vizitës në Tiranë, ka vënë theksin te rëndësia që ka sundimi i ligjit duke nënvizuar se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Lidhur me zhvillimet në Kosovë, Kasanof shprehet se nuk mund të bëjë komente mbi qëndrimiet e administratës së ardhshme
Kasanof, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e ndihmojnë Kosovën që të kryejë hetimin lidhur me sulmin e 29 nëntorit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varragë të Zubin Potokut.
Kasanof ka thënë se është kritike që hetimi të ndjekë faktet në terren dhe të shqyrtojë të gjitha infoamcionet, teksa ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë që të ketë një hetim të besueshëm për këtë sulm, shkruan Reporteri.net.
“Ai ishte një sulm i tmerrshëm. E kemi dënuar me fjalët më të forta të mundshme dhe do ta ritheksoj këtu që dënojmë çdo lloj sulmi të tillë. Po e ndihmojmë Kosovën dhe qeverinë e Kosovës që të kryejnë hetimin. Kemi ndihmuar duke vënë në dispozicion burime për këtë qëllim. Dhe mendojmë se është me rëndësi kritike që çdo hetim të ndjekë faktet në terren, të shqyrtojë si duhet të gjitha informacionet aty dhe të punojnë me partnerët ndërkombëtarë në këtë kontekst për t’u siguruar që do të ngrihet një hetim i besueshëm. Ajo që mund të them është që akte të tilla janë jo vetëm të tmerrshme por janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet dhe i refuzojmë në mënyrën më të fortë”, ka deklaruar Kasanof
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?