Kaloni te përmbajtja kryesore

“Karakteri i Selitajt s’përkon me mënyrën e arsyetimit të arrestimit dhe komunikatën e policisë”

Analisti Mustafë Kadriaj ka reaguar pas arrestimit të sotëm të kameramanit Albion Selitaj. Kadriaj ka theksuar se karakteri i Selitajt nuk përkon me mënyrën arsyetimit të arrestimit si dhe me komunikatën e policisë.
“Duke e njohur për së afërmi kameramanin Albion Selitaj vlerësoi që edukimi dhe karakteri i tij moral dhe profesional nuk përkojnë me mënyrën e arsyetimit të arrestimit dhe me komunikatën e policisë për faktin që nuk ishte shoqërim por arrestim sepse u prangos.
Kjo nuk e do të thotë që me e humb besimin dhe respektin në Policinë e Kosovës, por njëherit duhet të jetë leksion për policinë që një sjellje e tillë është e papranueshme.”, ka shkruar Kadriaj në Facebook.
Duke uruar që mos të përsëriten rastet në pengimin e medias, analisti ka shtuar se institucionet në Kosovë kanë shumë punë për të bërë në parandalimin e dukurive deviante.
Ndryshe, sot është arrestuar e më pas është liruar kameramani  i agjencisë së lajmeve, Ekonomia Online, Albion Selitaj, derisa ka qenë duke xhiruar një aktivitet të Agjencisë Kosovare të Privatizimit së bashku me Policinë e Kosovës, në një ndërmarrje në Suharekë.
Pas këtij arrestimi, ashpër ka reaguar AGK-ja, duke e dënuar sjelljen joprofesionale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.
Për aktin ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se është nisur hetim i menjëhershëm ndaj zyrtarëve policorë.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka suspenduar përkohësisht dy zyrtarë policorë dhe ka inicuar procedurë të brendshme disiplinore ndaj pesë zyrtarëve të tjerë./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button