Kaloni te përmbajtja kryesore

Ish- ministrja Dhurata Hoxha deklarohet e pafajshme

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe tre të akuzuarit tjerë Ekrem Tahiri, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi, u deklaruan të pafajshëm në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me akuzat për korrupsion.
Këtë deklarim, katër të akuzuarit e bënë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar.
Gjykatësi Vesel Ismaili, bëri të ditur se të akuzuarit kërkesën lidhur me hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave mund ta bëjnë në afat prej 30 ditësh.
Gjykatësi Ismaili bëri të ditur se seanca e shqyrtimit të dytë do të mbahet më 15 korrik 2022.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) përmes aktakuzës të ngritur ndaj ish- ministres Hoxha po pretendon se e njëjta keqpërdori detyrën zyrtare si ministre, nën dyshimin se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ngritur më 12 maj 2022, Dhurata Hoxha ngarkohet se në cilësinë e ministres së MIE-së kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik për nevoja të MIE dhe operatorin ekonomik “PR Solution”.
Në aktakuzë thuhet se edhe pse ky aktivitet i prokurimit kishte qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), e pandehura Hoxha në kundërshtim me ligjin, si ministre kishte shfrytëzuar këtë duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019.
Tutje thuhet se promovimi ishte realizuar me publikimin e banerëve, videove që vinin në pah të pandehurën Hoxha, e në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate, duke i mundësuar të pandehurës përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumën prej 143 mijë e 447 euro e 80 centë.
I pandehuri Fitim Mustafa akuzohet se në cilësinë e zyrtarit përgjegjës i Prokurimit të MIE-së, me dashje kishte keqpërdoruar detyrën zyrtare pasi kishte kontraktuar dy operatorë ekonomikë, “PR Solution” dhe N.Sh “2B”, të përzgjedhur fillimisht nga Komisioni i Vlerësimit si OE që kishin plotësuar kriteret sipas dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit “Kontrata për shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, duke e vënë kriter shtesë të papërcaktuar në dosje të tenderit, e duke ndikuar kështu në mënyrë të kundërligjshme të eliminohet OE, i cili kishte ofruar çmimin për rreth 192 mijë e 700 euro më të ulët në një tender me kriter çmimin më të ulët, ndërsa me kontratën në fjalë të shpërblehej OE “PR Solution”./Betimi për Drejtësi

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button