Çka po ndodh në Lindjen e Mesme? Sulme ajrore, shkëmbim raketash dhe goditje mbi objekte strategjike

(Lajm i përditësuar)
”78 të vdekur nga sulmet barbare të Izraelit, shumica gra e fëmijë”
Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani, ka thënë në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten se “sulmi barbar dhe kriminal” i Izraelit u ka marrë jetë 78 personave, që shumicë ishin civilë.
Sipas tij, shumica e të vrarëve ishin gra e fëmijë.
Ai ka thënë se Izraeli ka kryer akt agresioni duke qëlluar mbi qendra civilësh.
“Këto mizori përbëjnë akte të qarta të terrorizmit shtetëror dhe shkelje flagrante të të drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Iravani.
Kush ishin katër gjeneralët iranianë të vrarë në sulmin izraelit?
Izraeli ka pretenduar se sulmet ajrore të ndërmarra më 13 qershor kanë vrarë katër gjeneralë të lartë të ushtrisë iraniane, përfshirë tre prej tyre nga Garda Revolucionare Islamike, forca ushtarake më e fuqishme në vend.
Më poshtë janë të dhënat për katër gjeneralët që raportohet se janë vrarë:
Hossein Salami
Gjeneralmajor Hossein Salami ka qenë komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare që nga viti 2019.
Ai ndodhej nën sanksione ndërkombëtare që nga viti 2006, si “person i përfshirë në programin iranian të raketave balistike”, sipas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Mohammad Baqeri
Gjeneralmajor Mohammad Baqeri ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit që nga viti 2016, dhe zyrtarisht figura e dytë më e fuqishme në ushtri, pas liderit suprem, ajatollahut Ali Khamenei.
Ai u ngrit në radhët e Gardës Revolucionare, që dominon strukturat më të larta të ushtrisë iraniane, dhe kontrollon planifikimin, operacionet, inteligjencën, operacionet e fshehta dhe jo të rregullta, si dhe sigurinë e brendshme..
Gholam Ali Rashid
Gjeneralmajor Gholam Ali Rashid ishte zëvendëskomandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Iranit dhe konsiderohej si një nga figurat më të respektuara ushtarake në vend.
Që nga viti 2015, ai drejtonte shtabin qendror të Khatam-ol-Anbia, njësinë më të lartë operacionale të ushtrisë iraniane.
Amir Ali Hajizadeh
Gjeneral brigade Amir Ali Hajizadeh ishte komandant i Forcës Ajrore të Gardës Revolucionare që nga viti 2009.
Nën sanksione të SHBA-së që nga viti 2019, Hajizadeh ishte një figurë kyç në programin e raketave dhe dronëve të Iranit, dhe luajti një rol qendror në operacionet e fundit kundër Izraelit.
Izraeli vazhdon sulmet
Sulmet izraelite ndaj Iranit kanë vazhduar, me shpërthime dhe aktivitete të mbrojtjes ajrore të raportuara nga Teherani.
Sipas raporteve të mediave botërore, përfshirë CNN, forcat izraelite po përgatiten të përshkallëzojnë sulmet në përgjigje të sulmit raketor iranian, i cili duket se është drejtuar kryesisht në zonat e populluara në Izrael.
CNN raporton se objektivat e radhës mund të përfshijnë objekte kyçe ekonomike dhe infrastrukturore, siç janë objektet dhe portet e naftës dhe gazit, të cilat do të përfaqësonin një përshkallëzim serioz të konfliktit.
Sistemi amerikan THAAD po përdoret kundër raketave të Iranit, SHBA ia kishte dërguar vitin e kaluar Izraelit
Sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore THAAD (Terminal High Altitude Area Defense) kanë ndërprerë me sukses një numër raketash të lëshuara nga Irani drejt Izraelit të premten mbrëma, raportoi Army Radio, duke cituar një burim izraelit, shkruan The Jerusalem Post.
Ky ndërhyrje vjen pas një valë të paprecedentë raketash balistike që Irani lëshoi në shenjë hakmarrjeje për sulmet izraelite mbi objektet e tij bërthamore dhe ushtarake, përfshirë goditjen e objektit nëntokësor në Natanz dhe eliminimin e disa komandantëve të lartë iranianë.
Sistemi THAAD është i ndërtuar për të rrëzuar raketa balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi pak para se ato të bien në tokë.
Sistemet THAAD, të vendosura nga SHBA-të në rajon për të mbrojtur aleatët e saj nga kërcënimet balistike, janë projektuar për të kapur raketat në fazën përfundimtare të fluturimit të tyre, duke ofruar një mbrojtje të fuqishme ndaj sulmeve me rreze të gjatë.
Sistemi THAAD ka radar të përparuar që i vëren raketat në distanca më të largëta. Raketat e tij parandaluese fluturojnë më gjatë gjithashtu.
Izraeli thotë se Irani qëlloi më pak se 100 raketa, bëri “disa goditje”
Irani qëlloi më pak se njëqind raketa drejt Izraelit të premten në mbrëmje dhe bëri “disa goditje”, tha ushtria izraelite.
Disa nga këto goditje ishin nga mbeturinat e përgjimit, tha Effie Defrin, zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, në një deklaratë video.
Mund të ketë më shumë breshëri më vonë gjatë natës, paralajmëroi Defrin, duke u bërë thirrje civilëve të qëndrojnë pranë strehimoreve.
Presidenti Donald Trump foli më herët sonte me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë pa dhënë detaje tjera,
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca do të mbrojë Izraelin nëse sulmohet nga Irani.
Nëse Irani sulmon Izraelin në shenjë hakmarrjeje, Franca, duke marrë parasysh “asetet e saj” dhe nëse është në gjendje ta bëjë këtë, do të marrë pjesë në operacione për të “mbrojtur dhe mbrojtur Izraelin”, tha Macron në një konferencë për shtyp, raporton Anadolu.
“Shpreha gatishmërinë tonë në këtë drejtim”, tha Macron, duke shtuar se Franca nuk ka ndërmend të marrë pjesë në ndonjë operacion sulmues.
“Përballë një rreziku të madh destabilizimi për të gjithë rajonin, Franca tani u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje maksimale për të shmangur përshkallëzimin. Çështja e programit bërthamor të Iranit është një çështje serioze, ekzistenciale. Tani duhet të zgjidhet përmes negociatave”, tha Macron.
Ai gjithashtu shprehu “keqardhje” që Irani nuk e kishte marrë seriozisht propozimin e SHBA-së për të lejuar pasurimin e kufizuar të uraniumit në nivel të ulët.
Macron konfirmoi se nuk ishte i përfshirë në operacionet e fundit ose në planifikimin e tyre.
Kabineti izraelit po mblidhet aktualisht për të diskutuar përgjigjet ndaj sulmit me raketa të Iranit ndaj Izraelit të premten në mbrëmje, tha një zyrtar izraelit për CNN.
Pritet që Izraeli të përshkallëzojë më tej valën e tij të ardhshme të sulmeve kundër Iranit, tha zyrtari.
Duke iu drejtuar popullit iranian drejtpërdrejt në një video të publikuar sonte, kryeministri Benjamin Netanyahu u bëri thirrje civilëve të “ngrihen dhe të lënë zërat e tyre të dëgjohen”, duke thënë se lufta e Izraelit është kundër qeverisë iraniane.
“Më shumë është duke ardhur. Regjimi nuk e di se çfarë e goditi, ose çfarë do ta godasë. Nuk ka qenë kurrë më i dobët”, tha Netanyahu.

Irani gjuan raketa drejt Izraelit në kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelite
Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit në kundërpërgjigje ndaj sulmeve intensive të kryera nga Izraeli ndaj objekteve bërthamore dhe bazave ushtarake të Iranit të premten në mbrëmje.
Më pas, një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se Irani ka gjuajtur më pak se 100 raketa. Shumica prej tyre, pretendoi ai, janë rrëzuar apo nuk kanë arritur caqet.
“Një numër i kufizuar i ndërtesave janë goditur, disa si rezultat i mbetjeve nga raketat e rrëzuara nga sistemet kundërajrore”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee përmes një postimi në X.
Paraprakisht, ushtria izraelite deklaroi përmes një postimi në po të njëjtën platformë se “civilët izraelitë aktualisht janë duke u shënjestruar nga regjimi iranian. Bota nuk mund të rri e heshtur”.
40 njerëz po trajtohen në spitale izraelite pas sulmit të Iranit
Pas kundërpërgjigjes së Iranit, 40 persona po trajtohen në spitale të ndryshme në Izrael, prej të cilëve dy janë në gjendje kritike, kanë bërë të ditur autoritetet shëndetësore izraelite.
Spitali Ichilov në Tel Aviv është duke trajtuar 18 pacientë.
Spitali Beilinson në Petah Tikva ka 7 pacientë, përfshirë një në gjendje kritike.
Spitali Sheba në Ramat Gan po trajton 15 persona, ndër ta edhe pacientin tjetër në gjendje kritike.
Intensifikohen sulmet Izrael-Iran
Orët e fundit kanë shënuar intensifikim të sulmeve ajrore midis Izraelit dhe Iranit.
Teksa Izraeli ka thënë se ka sulmuar një zonë tjetër nukleare në Iran, “hakmarrja” ka qenë me lëshimin e qindra raketave drejt Izraelit.
Izraeli ka thënë se i ka ndalur shumicën e sulmeve nga Irani, ndërsa ka raste që raketat kanë depërtuar sistemin e çeliktë të mbrojtjes ajrore.
Pos intensifikimit, sulmet nuk pritet të marrin fund shpejt.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar se sulmet mund të zgjasin për disa ditë.
Netanyahu paralajmëron më shumë goditje në zonat bërthamore
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar pas kundërpërgjigjes së Iranit, drejt Tel Aviv dhe Jeruzalemit.
Netanyahu thotë se lufta e Izraelit nuk është me popullsinë e Iranit, por lidershipin. Ai paralajmëroi më shumë goditje kundrejt Iranit, në zona ushtarake dhe bërthamore.
Kryeministri izraelit iu drejtua qytetarëve iranianë, duke u bërë thirrje të ngrihen dhe që zëri i tyre të dëgjohet.
Ai theksoi se qëllimi i Izraelit është të ndalojë kërcënimin bërthamor dhe të raketave që vjen nga Irani. “Teksa ne arrijmë qëllimin tonë, po hapim rrugën edhe për ju që të arrini lirinë tuaj,” tha ai.
Në fund, Netanyahu i bëri thirrje popullit iranian të bashkohet rreth flamurit dhe historisë së vet.
Ministri i izraelit i Mbrojtjes: Irani kaloi vijat e kuqe, lëshoi raketa mbi civilë
Ministri i Mbrojtjes, Izrael Katz, thotë se Irani “ka kaluar vijat e kuqe pasi guxoi të qëllojë me raketa ndaj përqendrimeve të popullsisë civile në Izrael”.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë qytetarët e Izraelit dhe të sigurohemi që regjimi i Ajatollahut të paguajë një çmim shumë të lartë për veprimet e tij të urryera”, shton ai.
Ndryshe, Irani sapo ka nisur valën e sulmeve ndaj Izraelit.
Së fundmi në rrjete sociale po qarkullojnë pamje të sulmit.
Sipas një deklarate nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit, sistemet mbrojtëse po veprojnë për të kapur raketat.
Ndërsa qytetarët janë udhëzuar të kërkojnë strehim.
Sulmin e konfirmuan edhe vetë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit.
Izraeli godet edhe një tjetër objekt bërthamor në Iran
Forcat Ajrore izraelite kanë kryer sulm të ri ajror mbi një objekt bërthamor në Isfahan, rreth 350 kilometra në juglindje të Teheranit, në kuadër të asaj që Izraeli e quan fazë të re në ndërprerjen e kapaciteteve bërthamore iraniane.
Sipas një deklarate nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), sulmi ka shënjestruar vendin ku zhvillohej rikonvertimi i uraniumit të pasuruar, një proces kyç në prodhimin e armëve bërthamore.
“Forcat tona kanë shkatërruar një strukturë për prodhimin e uraniumit metalik, infrastrukturën për konvertimin e uraniumit të pasuruar, si dhe laboratorë dhe infrastrukturë shtesë që shërbenin për programin atomik iranian”, thuhet në deklaratë.
Objekti në Isfahan konsiderohet si një ndër pikat më të rëndësishme të kapacitetit bërthamor të Iranit dhe punëson mijëra shkencëtarë, përfshirë edhe laboratorë të ndërlidhur me reaktorët kërkimorë kinezë.
Ky është sulmi i dytë i madh i Izraelit ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit brenda një periudhe të shkurtër, duke thelluar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?



