Kaloni te përmbajtja kryesore

IML-ja thotë se ende s’ka raport preliminar për vdekjen e Agon Zejnullahut

Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ka mohuar “publikimet në media që pretendojnë se ka dalë një raport preliminar lidhur me shkaqet e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu”, i cili ndërroi jetë të hënën në Lipjan, pak pas arrestimit nga Policia e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, IML-ja ka bërë të ditur se autopsia është kryer me urdhër të Prokurorisë së Shtetit dhe se në këtë proces kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të caktuar nga Policia e Kosovës.

“Me përgjegjësi morale dhe profesionale deklarojmë se nga IML-ja nuk ka dalë ndonjë raport i tillë, dhe ky lajm është i pavërtetë”, thuhet në reagimin e Institutit.

Sipas IML-së, aktualisht janë duke u kryer analizat histopatologjike dhe toksikologjike të mostrave të marra gjatë autopsisë, në mënyrë që të hartohet sa më shpejt raporti përfundimtar.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit që e ka rastin dhe po bëjmë përpjekje maksimale për përfundimin e ekspertizës mjeko-ligjore”, thuhet në njoftim.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button