Hoxhaj: Meqë çdo lloj shteti, race e feje është mbledhur në Beograd, Kosova të…
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se politika e jashtme e Kosovës duhet të mbledhë forcën dhe të paktën të dalë me një qëndrim me shkrim për Samitin e të Painkuadruarve, që organizoi Serbia.
“Meqë çdo lloj shteti, race e feje është mbledhur në Beograd, ndër tjerash kundër Kosovës, politika e jashtme e Kosovës duhet të mbledhë forcën, të paktën të dalë me një qëndrim me shkrim për këtë ngjarje antiperëndimore, në të cilën ministri i jashtëm rus Lavrov është mysafir nderi i Samitit”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Sipas tij, “mbajtja e këtij samiti sot në Beograd, nuk është se ka për qëllim të kujtojë e flasë për 60-vjetorin e themelimit të kësaj lëvizje. Ky samit shpërfaq dy qëllime të politikës së jashtme serbe, të cilat do të promovohen jo vetëm gjatë kohës së mbajtjes së samitit, por që do kenë edhe efekte në kohë”.
Hoxhaj ka thënë se qëllimi i parë është të godasë Kosovën në planin ndërkombëtar dhe qëllimi i dytë minimi i vlerave të perëndimit kudo në botë.
Tutje, ai ka theksuar se politika e jashtme do të duhej të paktën të bënte edhe ndonjë lajm në mediat ndërkombëtare, të tregojë që Kosova ka një politikë të jashtme parimore dhe properëndimore. Ose, siç ka thënë, t’iu dërgonte ndonjë pozicion të shkruar dhe zyrtar këtyre vendeve që kanë shkuar sot në Beograd dhe t’ua bëjë me dije se çka është Kosova në vitin 2021./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?