Hoxha: Nagavci dhjetë ditë para fillimit të vitit shkollor hoqi dorë nga obligimi ligjor

(Lajm i përditësuar)
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha deklaroi se nga fillimi i qeverisjes aktuale, mësimi po fillon mbrapsht. Ajo theksoi se mbi 220 mijë nxënës po i vuajnë pasojat e dështimit të qeverisë, siç theksoi ajo, për të siguruar falas tekstet shkollore. Deputetja Hoxha shtoi se këtë vit nuk ka as kushte themelore për mësim.
Gjatë debatit parlamentar për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, Hoxha theksoi se qeveria për të mbuluar këtë dështim, në momentet e fundit improvizoi një zgjidhje tjetër.
“Qeveria zyrtarisht vendosi që të mos e zbatojë obligimin ligjor për ofrimin e teksteve falas e madje as nuk i subvencionoi. U mjaftua vetëm me 30 euro për materiale mësimore, për të cilat me ligj nuk është e obliguar. Dhe cili është rezultati? Qeveria ka ndarë mbi 13 milionë euro për subvencionimin, prej të cilave mbi gjashtë milionë për tekste për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë dhe mbi gjashtë milionë euro të tjera për mjetet dhe materialet mësimore për arsimin e detyrueshëm”, tha ajo.
Teksa ka aluduar në abuzime, Hoxha tha se situata me tekstet shkollore ka të bëjë me keqpërdorimet. Ajo shtoi se në këtë proces është shkelur edhe ligji për ndarjet buxhetore.
“Nëse vitin e kaluar për blerjen e teksteve janë shpenzuar 17 milionë, sikur më parë deri në atë vit, pse këtë vit MAShTI ka planifikuar vetëm 4, 3 milionë për blerjen e teksteve shkollore. E dyta, nëse këtë vit nga shtëpitë botuese kanë qenë afërsisht të njëjta si vitin e kaluar, janë dhënë çmime që thuhet edhe më të ulëta si rasti me shtëpinë botuese ‘Dukagjini’, e cila thotë se ka ofruar 4 për qind më lirë se vitin e kaluar, atëherë pse nuk u demantuan këto deklarime nga ana e MAShT-it duka na ofruar dokumente shtesë. Nëse çmimet e teksteve këtë vit janë më të lartë, pse MAShT nuk e ka bërë publike listën e çmimeve të teksteve shkollore që i ka paguar vitin e kaluar dhe ofertën e bërë këtë vit nga shtëpitë botuese”, deklaroi ajo gjatë debatit parlamentar.
Sipas saj, prindërit do të detyrohen të blejnë librat për fëmijët e tyre me çmim më të lartë.
“Nuk mund të mos përmend hipokrizinë e ministres, e cila dy muaj më parë kishte deklaruar se tekstet do të jenë falas. Këtë citat e gjeni në mediat tona në qershor, dhjetë ditë para fillimit të mësimit, e njëjta kishte hequr dorë nga obligimi i saj ligjor duke ja lënë topin e nxehtë në dorë prindërve, për idenë e rimbursimit dhe improvizimit. Në këtë proces ata që këta i quajnë ‘oligarkë’, prapë do të përfitojnë më së shumti sepse kujtoj që është logjik e thjesht ta dimë se çdo gjë që blejmë në treg me sasi të vogël, kushton më shumë se sa kosto e sasisë më të madhe”, shtoi ajo.
Më tej, gjatë deklarimit të saj tha se shkollat e Kosovës tash e tri vjet po e nisin vitin e ri shkollor mbrapsht.
“Ky është viti i tretë shkollor, i cili nis mbrapsht. Nuk ka as pandemi e nuk ka as greva. Por këtë vit nuk ka as kushte themelore për mësim. Nuk kishte tekste shkollore si mjet bazë për mësim që t’i prisnin nxënësit në tavolinat e tyre. Ka dështim në planifikim, në realizim e mbi të gjitha dështim në përmbushjen e obligimit ligjor për sigurimin e teksteve shkollore falas për të gjithë nxënësit e nivelit fillor dhe arsimit të mesëm të ultë për vitin shkollor 2023-2024… Mbi 220 mijë nxënës i vuajnë pasojat e dështimit të qeverisë për të siguruar falas tekstet shkollore, obligim ky ligjor nga Ligji për Edukimin Parauniversitar, specifikisht neni 3”, përfundoi Hoxha.
Ajo u shpreh se një standard i tillë i cili u krijua para sa kohësh, ishte mirëpritur nga prindërit dhe familjet në Kosovë.
Debati për librat, Nagavci: Qeveritë e kaluara kanë keqpërdoruar miliona euro
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka arsyetuar vendimin për subvencionimin e teksteve shkollore për këtë vit.
Në Kuvendin e Kosovës, Nagavci tha se ky veprim është në kuadër të pakos së reformës për përmirësimin e cilësisë në arsimin para universitar.
Ministrja u shpreh e ashpër edhe ndaj kritikave të opozitës, duke përmendur sipas saj keqpërdorimet që qeveritë e kaluara kanë bërë me sigurimin e librave.
“Dështimit të qeverive të kaluara jo vetëm për mirëqeverisje të procesit, jo vetëm për shpenzime pa asnjë llogari dhe keqpërdorim të qindra miliona euro, por edhe pa asnjë kujdes për cilësinë e teksteve mësimore…Rreth 125 milionë euro për tekste shkollore të cilat kanë përfunduar në stoqe në grumbull të librave dhe fletoreve të punës që janë gjetur në bodrumet e shkollave dhe që kanë mbetur të papërdorura dhe pa asnjë analizë. Në raportet publike dhe raportet e auditorit janë konstatuar se ka teprica në stoqet me tekste që së paku për 1 vit ka qenë vlerë e humbur më shumë se gjysmë milioni euro në stoqe shkollore. Të gjitha tekstet janë dërguar pa analizë dhe është keqpërdorur buxheti”, tha ajo.
Sipas saj për të shmangur këto praktika abuzive kanë marrë vendim për mos blerjen e librave shkollore direkt nga shtëpitë botuese.
“Kjo ka krijuar mundësi që ne të përfundojmë me çmime trefishë madje edhe mbi 100 për qind më shtrenjtë sesa çmimet e teksteve të njëjta në Shqipëri. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të legjislacionit i cili që nga fillimi i miratimit të buxhetit ka qenë i dizajnuar në atë mënyrë që tekstet të shihen si biznes. Ne kemi punuar intensivisht, kemi finalizuar ligjin për tekste mësimore dhe që do të adresojë të gjitha këto parregullsi dhe mbi të gjitha do të mundësojë tekste cilësore…Vendimi i fundit për të subvencionuar prindërit për blerjen e teksteve është një veprim nga pako e reformës për përmirësimin e cilësisë në arsimin para universitar”, tha ajo.
Në anën tjetër, ajo tha se deri tani në asnjë komunë nuk kanë marrë njoftim se ka mungesë apo vështirësi me sigurimin e teksteve shkollore.
“Nga asnjë komunë ne nuk kemi marrë njoftim se kanë mungesë apo vështirësi me tekste. Vetëm javën e kaluar kemi pasur së paku tri vizita në po thuajse të gjitha komunat e Kosovës nuk ka informata që ka mungesë”, deklaroi Nagavci.
Këto deklarata Nagavci i bëri gjatë debatit parlamentar në Kuvendin e Kosovës për çështjen e sigurimit të librave shkollorë.
Hoxhaj: Kurti po diskuton në Bruksel se si të mbahen zgjedhjet në veri
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj deklaroi se në Bruksel diskutohet se si të mbahen zgjedhjet dhe se Kosova është pjesë e menysë.
Në proces të dialogut, ai shtoi se vendi është pa aleat dhe pa Uashingtonin. Ai u ka bërë thirrje deputetëve që të shpërbëhet Kuvendi dhe të mos blejnë kohë, ashtu siç po bën pushteti.
Në seancë plenare, Hoxhaj u shpreh se vendi është në gjendje të jashtëzakonshme.
Hoxhaj shtoi se sot në dialog, Kosova është pa asnjë mik dhe aleat dhe se nuk ka fare dialog me Uashingtonin.
Hoxhaj u shpreh se Kurti gjatë qeverisjes së tij ka treguar se nuk guxon të marrë vendime të mëdha.
Abazi: LVV rrotullonte makinat, kryeministri po ia vazhdon mandatin EULEX-it
Deputeti Haki Abazi tha se partia në pushtet teksa flet për Lojërat Mesdhetare që do të organizohen në vitin 2030, dëshiron të tërheq vëmendjen prej Milan Radojqiqit. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje e cila dikur rrotullonte makinat e EULEX-it, tashmë edhe po ia vazhdon mandatit. Po ashtu, ai u shpreh se qeveria aktuale nuk guxon që të ju bëjë zë, as deputetëve të Listës Serbe të cilët vijnë në kuvend për të marrë mëditjet.
Në seancë plenare, deputeti i pavarur ka numëruar dështimet e Qeverisë Kurti, ku mes tjerash përmendi edhe marrëdhëniet me Shqipërinë.
“Shumë kisha dashur me thënë fillim të mbarë, por kur del partia në pozitë dhe flet për Lojërat Mesdhetarë që do të mbahen në 2030, tregon që krejt çka është duke dashur të bëjë është të tërheq vëmendjen prej Radojqiqit. Ka kësi, ka edhe qisi. Ka Radojqiq edhe koordinim me ata shoktë e juaj që erdhën e nuk guxoni me të bëni zë asnjë. Që vinë i marrin paratë e taksapaguesve të Kosovës, ju vazhdoni të paguani rrymën si këta tjerët që kanë qenë në pushtet për 20 vjet dhe nuk guxoni të bëni zë. Ju jeni të njëjtit që ia vazhdoni mandatin EULEX-it, të cilët vazhdojnë të bastisin shtëpitë e veteranëve të UÇK-së, të cilët makina i ka rrotulluar dikur Lëvizja Vetëvendosje. Është ky kryeministër, është ky legjislacion që nënshkruan mandate, që vazhdon degradimi i luftës çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Abazi.
Deputeti Haki Abazi pas fjalimet të tij ka shpërndarë në sallën plenare mbishkrime ku shkruan “Zdravo Banda” dhe “E di Sllavko”
Haradinaj: Kuvendi ta ndihmojë Kosovën, ta rrëzojë Qeverinë Kurti
Abazi akuzon VV-në se po do ta humbë vëmendjen nga Radojçiqi
Deputeti Haki Abazi, që mandatin e ka siguruar si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje e tash qëndron si i pavarur, ka akuzuar ish-partinë ku bënte pjesë se po do ta humbë vëmendjen nga skandali me Milan Radojçiqin duke përmendur organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Abazi pati një sërë kritikash për partinë në pushtet, duke i akuzuar se nuk po bëjnë asgjë.
Lista Serbe rikthehet në Kuvend vetëm për të siguruar vazhdimin e mandatit
Menjëherë pas fillimit të seancës ata janë larguar.
Deputetët me një minutë heshtje për viktimat në Libi dhe Maroko
Deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje për të gjitha viktimat e përmbytjeve në Libi dhe nga tërmeti në Marako.
Para fillimit të seancës plenare, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se në konsultim me të gjitha grupet parlamentare kanë vendosur të mbajnë një minutë heshtje për të gjithë ata që humbën jetën në këto dy katastrofa.
“Ne i pamë me shumë trishtim përmbytjet që ndodhën në Libi dhe tërmetin në Maroko, prej të cilave katastrofa humbën jetën me mijëra qytetarë të këtyre dy vendeve. Prandaj në konsultim edhe me grupet parlamentare, vendosëm që të mbajmë një minutë heshtje për humbjen e jetës së të gjithë atyre personave në këto katastrofa”, tha Konjufca.
Nga përmbytjet në Libi, raportohet për mijëra njerëz të vdekur apo të zhdukur, qindra ndërtesa e rrugë të shkatërruara dhe zona të tjera të zhytura në ujë.
Ndërkaq, në tërmetin e datës 8 shtator në Maroko kanë vdekur më shumë se dy mijë persona.
Sot dy seanca të Kuvendit
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca – njëra plenare dhe tjetra e jashtëzakonshme.
E para fillon nga ora 10:00, ndërsa e dyta nga ora 14:00.
Rendi i ditës për seancën plenare:
Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
Deklarimet jashtë rendit të ditës,
Pyetjet parlamentare,
Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,
6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-185 për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore,
7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-205 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,
8. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.
Rendi i dytës për seancën e jashtëzakonshme:
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?