Kaloni te përmbajtja kryesore

Hoti: Na duhet një LDK e fortë për ta larguar këtë pushtet që i ka bërë dëme të mëdha Kosovës

Deputeti  i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se në këto kohë duhet një LDK e fortë për t’u përballur me sfidat politike dhe për ta larguar nga pushteti, siç është shprehur ai, mazhorancën që i ka bërë dëme të mëdha Kosovës.

Përmes një reagimi lidhur me Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, i cili mbahet të enjten, Hoti ka thënë se ky mekanizëm statutar është paraparë nga ideologët e LDK-së, duke ndjekur praktikat e partive simotra të LDK-së në vendet e Bashkimit Evropian, për ushtrimin e kontrollit demokratik të delegatëve ndaj lidershipit të partisë.

Sipas tij, Kuvendi është thirrur pasi nuk pajtohen me humbjen në tri palë zgjedhje parlamentare dhe me humbjen e dy komunave në zgjedhjet lokale.

“Nuk mund të ulim kokën dhe të ndihemi rehat me këto rezultate të dobëta, siç po na thotë, praktikisht, lidershipi aktual i LDK-së duke kundërshtuar thirrjen e Kuvendit. Një LDK që e ul kokën përballë këtyre humbjeve nuk i shërben Kosovës. Një LDK e tillë mund të jetë vetëm në interes të kundërshtarëve politikë”, ka shkruar Hoti.

Ai ka shtuar se thirrja e Kuvendit u bë domosdoshmëri pasi, sipas tij, lidershipi aktual nuk e respektoi standardin e vendosur në vitin 2021, kur Isa Mustafa mori përgjegjësinë dhe hapi rrugën përmes së cilës në krye të LDK-së u zgjodh Lumir Abdixhiku.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button