Kaloni te përmbajtja kryesore

Haradinaj pret që Gjermania të bëhet investitori më i madh në vend

Shënohet 10 vjetori i marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Gjermani

Kosova në nisjen e vet si shtet ka pasur menjëherë partneritetin, miqësinë, përkrahjen Gjermanisë. Ky partneritet ka ekzistuar edhe më herët, por pas shpalljes së pavarësisë është konfirmuar me njohjen dhe me vendosjen e marrëdhënieve bilaterale diplomatike, marrëdhënie këto që janë zhvilluar në nivelin më të lartë dhe vazhdojnë sot të jenë funksionale në nivel të mirë, të respektuar dhe të besuar. Kështu tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në konferencën e organizuar nga Ambasada Gjermane, me rastin e shënimit të 10 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.

“Është koha që Gjermania të bëhet investitori më i madh në vend. Është interes i joni që tregu i Kosovës të njihet dhe të vlerësohet nga bizneset gjermane, si treg me potencial të madh për afarizëm brenda Kosovës dhe Rajonit. Gjermania është vend që ka sjell në Kosovë jo vetëm donacionet, përkrahjen politike, në siguri përmes ushtrisë, por ka sjell në Kosovë edhe ndjenjën e besimit në perspektivën në të ardhmen, përvojat e saj shumë të çmuara deri te ajo që në Kosovë njihet dhe çmohet si e tillë, brendin gjerman, një vlerë e besueshme”, tha Haradinaj.

Duke folur më tej për përkrahjen e Gjermanisë, ai tha se Kosova e ka ndjerë këtë përkrahje përmes proceseve rajonale, siç është procesi i Berlinit, WB 6, që për Kosovën është shumë domethënës, ngase në etapa të caktuara është hetuar një tendencë e mos përfshirjes së Kosovës në proceset integruese, duke pasur parasysh faktin e disa vendeve mosnjohëse dhe pengesave tjera që kanë rezultuar.

I pari i ekzekutivit po ashtu foli edhe për diasporën shqiptare në Gjermani, të cilët kanë ndjenjë të fuqishme për Gjermaninë, lidhje këto të cilat bëhen më të forta dhe krijojnë obligim më të madh ndërmjet dy vendeve.

Me këtë rast, Haradinaj bëri thirrje për investime nga Gjermania në Kosovë, duke theksuar se janë dy projekte të cilat japin shpresë, shkolla Loyola në Prizren, një kualitet Gjerman i shkollës, projekt ky i cili vlen t’i jepet përkrahje, për shkak se fëmijët që kryejnë shkollë në këtë gjimnaz janë të gatshëm qoftë të vazhdojnë studimet në këta parametra, apo edhe t’i bashkohen tregut të punës me kualitete të fituara.

“Jam thellë i bindur se Kosova është kompatibile, është garuese me kushtet që i ofron jo vetëm në regjion. Infrastruktura jonë mundëson jo vetëm operim në tregun në Kosovë, por edhe lidhje me tregjet regjionale dhe lidhje edhe me tregjet në BE”, tha Haradinaj, duke theksuar se popullata e re në Kosovë ka pasion punën, dhe njëkohësisht është e rëndësishme se Kosova ka resurse të pa aktivizuara.

Ndërsa, duke folur për liberalizimin e vizave, Haradinaj tha se këtë nuk e bëjmë që të vijmë te ju në Evropë, por që t’ju sigurojmë juve se qytetarët e Kosovës me mundësitë e lëvizjes së lirë janë vetëm një partner për ekonomitë tuaja, për popujt dhe investitorët e juaj.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues institucional, të shoqërisë civile dhe personalitete të tjera.

Me rastin e 10 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Gjermanisë dhe Kosovës, ambasadori gjerman Christian Heldt dje ka bërë zbulimin e shtatores së “Ambasadorit“ të Berlinit në Prishtinë, e ashtuquajtur arushë, i cili është punuar nga artistja kosovare, Arta Rudaku./21Media

http://rtv21.tv/ambasadori-gjerman-shpreson-se-liberalizimi-i-vizave-do-te-ndodhe-shpejt/

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button