“Nuk do të lejojmë që dikush të vendosë pengesë korruptive në investime”
Sipas Haradinajt, jemi në fazën finale të liberalizimit të vizave
Nën kryesimin e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj është mbajtur takimi i radhës i Nivelit të Lartë të Sundimit të Rendit dhe Ligjit, në të cilën janë prezantuar të arriturat e fundit nga institucionet përkatëse të Kosovës, veçanërisht për pakon e ligjeve anti-korrupsion dhe Rastet e Shënjestruara, në të cilin takim kryeministri e ka ritheksuar edhe njëherë se viti 2019 do të jetë vit i zhvillimit ekonomik.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka bërë të qartë se zhvillimi ekonomik është i lidhur ngushtë me sundimin e ligjit dhe ndjekjen e veprave penale që pengojnë këtë zhvillim dhe se siguria e bizneseve sikurse edhe e investimeve të huaja është detyrë e secilit prej atyre që sot ishin në këtë takim bëhet e ditur në komunikatën për media.
“Investitorët e huaj duhet të ndihen të sigurt se kapitali i tyre është i mbrojtur, se prokuroria është efektive, se gjykatat nuk vonojnë dhe se keqbërësit janë prapa grilave. Kosova ka hapur dyert për investitorë të huaj, kemi investimin më të madh direkt me vlerë prej 1.3 miliard dhe në pritje janë 11 projekte investuese strategjike me vlerë prej më shumë se 1 miliard Euro”, ka theksuar Haradinaj, duke sqaruar se të gjitha këto investime si adresë e kanë shtetin dhe se nuk do të lejojnë që dikush të vendosë pengesë korruptive në këto investime.
Haradinaj ka sqaruar faktin se përse i kanë forcuar policinë, prokurorinë dhe gjykatat dhe i kanë ndryshuar e forcuar ligjet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Për më shumë ne duhet të përfundojmë me sukses të gjitha rastet e shënjestruara. Këto raste tregojnë se askush nuk është mbi ligjin dhe se Kosova ka kapacitete dhe guxim për tu ballafaquar me raste komplekse. Kosova tashmë është në një fazë ku duhet t’i intensifikojë përpjekjet për ta unifikuar agjendën për integrim”, ka shtuar ai.
Haradinaj, gjithashtu ka folur edhe për çështjen e vizave, ku ka thënë se janë në fazën finale të liberalizimit të vizave dhe në këtë drejtim nuk bën të ndalen. Më pas, kryeministri ka hapur një diskutim të përbashkët, ku të pranishmit kanë dhënë komentet dhe sugjerimet e tyre.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në prezantimin e tij në kuadër të takimit të Sundimit të Rendit dhe Ligjit ka paraqitur pesë fusha themelore që adresohen përmes “Drejtësia 2020”, të cilat përfshijnë: Reduktimin e lëndëve të vjetra, kapacitetet e organeve të pavarura të zbatimit të Ligjit, efikasitetin e zbatimit të ligjit me konsideratë të veçantë për menaxhimin e periudhës kohore të shqyrtimit të lëndëve, profesionalizmin dhe integritetin.
Ndërkaq, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka shpalosur disa nga rezultatet për 48 lëndët e shënjestruara dhe në cilën fazë janë, si dhe punën e Prokurorisë. Ndërkohë, për rezultatet që duhet t’i shënojë Kosova në rrugën e saj integruese ka folur edhe Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?