Haradinaj: Në Kosovë secili qytetar do të jetë zot shpije
”Në Kosovë s’ka vend për Serbinë. Këtë duhet ta kuptojë çdokush, si në vend, e si jashtë vendit”
Kryetari i AAK-së dhe i nominuari për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj në takimin bashkëbisedues me qytetarë, në Prizren ka thënë se në Prizren, shpirti shqiptar është më i dukshmi.
”Pikërisht këtu, ku shpirti shqiptar është i dukshëm, është i vërejtshëm, kanë gjetur harmoni më së miri komunitetet. Pra, kjo tregon se aty ku është shqiptari, mundet dhe do të mund të jetojë gjithkush si zot shpije në shtëpinë e vet. Edhe serbi, edhe turku, edhe boshnjaku, edhe ashkalija, edhe egjiptasi edhe romi, edhe goranët”, ka thënë Haradinaj.
Siç bëhet e ditur në komunikatë, tutje Haradinaj ka shtuar se Kosova është vend i gjithë qytetarëve të vet. “Do të jenë zot shpije qytetarët e këtij vendi. Por, në Kosovë s’ka vend për Serbinë. Këtë duhet ta kuptojë çdokush, si në vend, e si jashtë vendit”, citohet të ketë thënë Ramush Haradinaj./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?