Hapet ekspozita fotografike “Kosova, Sporti dhe Arritjet e Yjeve tona”, në Tokio
Ambasada e Kosovës në Tokio së bashku me bashkinë Minato kanë organizuar një foto-ekspozitë për Kosovën në Tokio të Japonisë.
Përmes kësaj foto-ekspozite, ku janë të ekspozuara 60 fotografi synimi është të shfaqet një pjesë e Kosovës dhe historisë së sportit kosovar në Tokio, për qytetarët japonezë.
Në fotografitë të cilat do të ekspozohen, vizitorët do mund të shohin Kosovën që nga momenti i shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Lojërat Olimpike Verore në Rio 2016 dhe medaljen e parë të artë të fituar në xhudo.
Ndër të tjera, këtu është përfshirë edhe suksesi i jashtëzakonshëm i Kosovës në Lojërat Olimpike Verore Tokio 2020. Në të njëjtën kohë, një hapësirë e veçantë e kësaj ekspozite i kushtohet peizazhit të bukur të Kosovës.
Ambasada e Kosovës në Japoni dhe i ngarkuari me punë, Arbër Mehmeti falënderuan fotografin e njohur kosovar, Blerim Uka, fotot e të cilit do të qëndrojnë në qendrën sportive të bashkisë Minato për dhjetë ditë radhazi.
Gjithashtu, Ambasada e Kosovës në Japoni ka falënderuar Komitetin Olimpik të Kosovës për ndarjen e një numri të fotove të cilat gjithashtu janë pjesë e kësaj ekspozite “Kosova, Sporti dhe Arritjet e Yjeve tona”.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Mehmeti falënderoi qytetin Minato, kryetarin Masaaki dhe gjithë stafin e Minato për mbështetjen e tyre të palodhshme pa të cilët kjo ekspozitë nuk do të mund të realizohej.
Në hapjen zyrtare të ekspozitës, pjesëmarrës ishin edhe niveli drejtues i qytetit Minato, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme Japoneze, Ambasadori i Shqipërisë, Gjergji Teneqexhiu, Ambasadori i Maltës, André Spiteri, përfaqësues të Shoqatës Japoneze të Agjencive të Udhëtimit dhe përfaqësues të shoqatave Japoneze-Kosovare në Japoni.
Për arsye të masave të pandemisë, Ambasada e Kosovës ftoi vetëm një numër të kufizuar të mysafirëve për të marrë pjesë në ceremoninë hapëse të kësaj foto-ekspozite.
Me mbi 860,000 vizitorë çdo vit që vizitojnë qendrën sportive të bashkisë Minato, ky institucion publik është hapësirë ideale që përmes kësaj foto-ekspozite, Kosova të arrijë tek sa më shumë qytetarë japonezë të cilët do të mësojnë dhe informohen më shumë për vendin tonë./21Media


Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?