Kaloni te përmbajtja kryesore

Gjoba për bizneset që nuk vendosin flamujt te produktet

Ministri Shala ka kërkuar që bizneset sa më parë të fillojnë t’i vendosin flamujt tek produktet

Bizneset tashmë kanë filluar vendosjen e flamujve të origjinës së produkteve nëpër markete e tyre, por shenjëzimi i tyre ende nuk ka përfunduar. Ndërsa, për ata që nuk e respektojnë këtë udhëzim administrativ, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka paralajmëruar ndëshkime.

Vendimi për vendosjen e flamujve te produktet ishte marrë më 29 dhjetor të vitit të kaluar, teksa ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala kishte nënshkruar udhëzimin administrativ që urdhëronte marketet të vendosin flamuj sipas origjinës së produktit, vendimi ky i cili filloi të aplikohet që nga 1 janari.

Krahas kësaj, vendosjen e flamujve të produktet e kanë mirëpritur qytetarët e Kosovës, ndonëse disa prej tyre deklarojnë se ata flamuj nuk i kanë parë nëpër shoqëritë tregtare.

Emre Sherif për Kp ka thënë se i ka parë flamujt e vendosur nëpër markete dhe se kjo ofron lehtësi për t’i gjetur më lehtë produktet vendore.

E Fahri Duraku u shpreh se nuk ka parë nëpër markete flamuj të origjinës, por që ky veprim u ndihmon konsumatorëve të përzgjedhin më lehtë se çka do të konsumojnë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka theksuar se inspektorati i MTI-së ka filluar inspektimet nëpër shoqëritë tregtare. Ai ka kërkuar që bizneset sa më parë të fillojnë t’i vendosin flamujt te produktet.

“Ligji është në fuqi nga 29 dhjetori i vitit 2018 të gjitha shoqëritë tregtare në Republikën e Kosovës janë të obliguara ta respektojnë këtë ligj, atë nen të caktuar që tek secili çmim i produktit i cili shitet në tregun e Kosovës në anën e majtë të çmimit duhet të jetë i vendosur flamuri i origjinës së atij produkti. Ligji tashmë është në fuqi ne si ministrin e Tregtisë jemi duke i inspektuar të gjitha shoqëritë tregtare, jemi duke i vetëdijesuar që sa më shpejt të fillojnë edhe ato të cilat nuk i kanë ato t’i vendosin, dhe shumë shpejt ministria e Tregtisë dhe Industrisë, inspektorati i saj dhe inspektoratet tjera komunale do të vazhdojnë edhe me shqiptimin e masave ndëshkimore që përcaktohen me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit…Përndryshe masat ndëshkimore të parapara me  ligjin për mbrojtjen e konsumatorit do të merren ndaj secilës shoqëri tregtare e cila nuk e respekton ligjin”, ka shtuar Shala .

I pari i tregtisë dhe industrisë së Kosovës është zotuar se varësisht prej masës, të cilën inspektorati e sheh që është bërë shkelje do të ndëshkohen edhe shoqëritë tregtare.

Nora Jusufi nga Instituti GAP vendosjen e flamujve tek produktet nëpër markete e ka vlerësuar si një iniciativë të mirë, e cila mbron konsumatorin dhe ia lehtëson atij përzgjedhjen e produkteve që dëshiron t’i konsumojë.

Sipas saj, përmes këtij veprimi ndërprehet edhe mashtrimi indirekt ndaj konsumatorit. Jusufi ka konsideruar se gjobat ndaj shkelësve duhet të jenë në proporcion me moszbatimin e udhëzimit administrativ për vendosjen e flamujve.

Kujtojmë se vendimi për vendosjen e flamujve ka ardhur pak pasi Qeveria e Kosovës kishte vendosur taksë 100 % ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si reagimit ndaj një fushate të ashpër diplomatike të Serbisë kundër aplikacionit të Kosovës në Interpol dhe qëndrimit mbështetës të Bosnjës ndaj politikës së Beogradit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button