Kaloni te përmbajtja kryesore

Gjermania mori vendim të rëndësishëm për mbrojtje ndaj kërcënimeve ruse

Marrëveshja mes SHBA-së dhe Gjermanisë për ristacionimin e raketave amerikane në Gjermani shkaktoi reagime të ndara në opinionin gjerman.

“Bëhet fjalë për faktin se mbrojtja e Gjermanisë përfshin edhe parandalimin, dhe për këtë ne kemi nevojë për raketa të sakta me rreze të gjatë. Prandaj ky është një vendim i mirë,” tha kancelari gjerman Olaf Scholz në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington.

Ai e vlerësoi të justifikuar vendimin për ri-stacionimin e raketave, pas një pushimi prej më shumë se 20 vjetësh.

“Ne të gjithë e dimë se ka pasur një armatim të jashtëzakonshëm në Rusi, me armë që kërcënojnë edhe territorin evropian”, tha Scholz duke shprehur habinë për kritikat që vijnë nga brenda partisë së tij.

“Për këdo që merret me çështjet e mbrojtjes, ky vendim, i cili ka marrë një kohë të gjatë, nuk është befasi”, tha Scholz.

Në margjinat e samitit, Gjermania dhe SHBA-ja nënshkruan një marrëveshje për vendosjen e raketave Tomahawk me një rreze veprimi prej më shumë se 2 mijë kilometrash, e cila është e mjaftueshme për të sulmuar Moskën, e cila është rreth 1.600 km larg territorit gjerman në vijë ajrore.

Përveç kësaj, është planifikuar instalimi i raketave tokë-ajër të tipit SM-6, si dhe raketa supersonike të zhvilluara rishtazi.

Stacionimi, siç u njoftua, është i përkohshëm, derisa Gjermania dhe partnerët e tjerë të NATO-s në Evropë të zhvillojnë raketat e tyre.

Përfaqësuesi i SPD-së dhe anëtari i krahut të majtë të partisë Ralf Stegner kritikoi vendimin për rivendosjen e raketave.

“E gjitha çon në një garë të re armësh. Bota nuk do të bëhet më e sigurt, përkundrazi, ne po biem në një vorbull në të cilën bota po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme,” tha Stegner, i cili është i vetëm në kritikat e tij brenda SPD.

Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) tha se vendosja e raketave lidhet me pritshmërinë e Uashingtonit që Evropa së shpejti të zhvillojë raketat e veta me rreze të gjatë.

Kritika u shprehën nga pjesë të partisë së të Gjelbërve, e cila është partnere e SPD-së në koalicionin qeverisës, por në të njëjtën kohë, ministri i Ekonomisë nga radhët e të Gjelbërve, Robert Habeck shprehu mirëkuptimin e tij duke nënshkruar kontratën me SHBA. Opozita kryesore CDU/CSU e përshëndeti vendimin.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button