Gërvalla: Kosova ka miq të jashtëzakonshëm i gëzohen çdo përparimi të Republikës sonë

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla sot gjatë ditës ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Komisionit për Politika të Bashkimit Evropian në Senatin italian, z. Giulio Terzi di Sant’Agata dhe deputetët e këtij komisioni.
Gërvalla ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për progresin e arritur në demokraci, sundim të ligjit, qeverisjen e mirë, rritjen ekonomike dhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës, shkruan rtv21.tv.
“Takimet si ky i sotmi me senatorin Terzi të rikujtojnë se Kosova ka miq të jashtëzakonshëm, të cilët jo vetëm që mbështesin fuqishëm perspektivën euroatlantike të Kosovës, por shprehin një simpati të jashtëzakonshme për qytetarët e saj dhe i gëzohen çdo përparimi të Republikës sonë”, ka shkruar Gërvalla në “Facebook”.
Tutje Gërvalla ka falenderuar kryetarin Terzi dhe deputetët Italianë për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës duke treguar përkushtimin e Kosovës për forcimin e lidhjeve miqësore mes dy shteteve tona, në ekonomi, kulturë, arsim dhe fusha tjera me interes të përbashkët./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?