Kaloni te përmbajtja kryesore

Gazi amerikan, Çitaku akuzon VV-në: Kundërshtoi projektet që do t’i sillnin Kosovës pavarësi energjetike

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se debati për projektin e gazit amerikan nuk është thjesht debat për energjinë, por për sigurinë kombëtare dhe të ardhmen strategjike të Kosovës.

Çitaku tha se Kosova po përballet me një nga momentet më të rëndësishme strategjike që nga shpallja e pavarësisë, duke theksuar se siguria energjetike është bërë pjesë e sigurisë shtetërore.

“Debati për gazin amerikan nuk është debat për një projekt teknik. Nuk është debat për një tubacion apo për një central energjetik. Ky është debat për sigurinë kombëtare të Kosovës”, ka shkruar ajo.

Sipas Çitakut, në një botë ku siguria energjetike po bëhet po aq e rëndësishme sa siguria ushtarake, vendimet që merren sot do të ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve dhe në pozitën gjeopolitike të Kosovës në të ardhmen.

“Kur flasim për gazin amerikan, ne nuk flasim vetëm për energji. Ne flasim për siguri. Për ekonomi. Për diplomaci. Për partneritet strategjik. Për të ardhmen e Kosovës”, ka theksuar ajo.

Zyrtarja e PDK-së ka kritikuar edhe qasjen e Lëvizja Vetëvendosje ndaj projekteve energjetike, duke thënë se kjo parti ka kundërshtuar për vite me radhë iniciativa që, sipas saj, do t’i siguronin Kosovës më shumë pavarësi energjetike.

“Sot po e shohim rezultatin e kësaj politike. Kosova po paguan energjinë më shtrenjtë se kurrë më parë. Importet e energjisë po rriten nga viti në vit. Bizneset po dëmtohen, ndërsa familjet po përballen me fatura gjithnjë e më të larta”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka shtuar se vendet e rajonit po investojnë në diversifikimin e furnizimit me energji dhe në forcimin e sigurisë energjetike, ndërsa Kosova, sipas saj, po mbetet jashtë këtyre proceseve.

“Partneriteti me SHBA-në nuk matet vetëm me deklarata. Ai matet me vendime konkrete. Me projekte konkrete. Koha e izolimit duhet të marrë fund. Kosova duhet të jetë pjesë e projekteve strategjike të Perëndimit, jo spektatore e tyre”, ka përfunduar Çitaku.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button