Gashi: Letra e Gërvallës e çuditshme, i është drejtuar personit të gabuar

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi e ka quajtur të çuditshme nga kuptimi përmbajtjesor dhe procedural letrën e dërguar nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është në përgatitje të draft-statutit për Asociacionin.
Sipas Gashit, kjo letër i është dërguar personit të gabuar, ngase sipas tij Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka kryer punën e vet.
“Çështja e dytë me rëndësi pulitke është letra që sot ka qarkulluar. Nië letër e çuditshme nga kuptimi përmbajtjesor dhe procedural. Kjo letër dërgohet mbasi që Kosova ka mbetur jashtë procesit për anëtarësimin në KiE… Kjo letër shfaq, të paktën kjo që ka dalur publike i drejtohet personit të gabuar. Ajo që ka dalur publike është letra që i drejtohet kryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka kryer punën e saj dhe nuk ka pse t’i thotë asgjë atij për asociacionin, sepse asociacioni nuk është e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës…Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk parasheh kërkesën për themelimin e asociacionit për komunat me shumicë serbe”, tha Gashi.
Si çështje problematike, Gashi e ka nënvizuar deklarimin se do të formohet asociacioni dhe do të dërgohet në Kushtetuese.
Sipas tij, ky veprim është politikisht the taktikisht i gabuar, që do të ndikojë negativisht në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Çështja e tretë problematike, deklarimi se do të formohet asociacioni do të dërgohet në Kushtetuese vendimi për formimin e asociacionit për komunat me shumicë serbe deri në fund të muajit. Pse është lenë deri në fund të muajit? Është ditur qe 6 muaj se mbledhja e Komitetit të ministrave do të jetë me datat 16-17… Mendoj se është veprim politikisht dhe taktikisht i gabuar dhe humbje për Kosovën. Sepse Kosova tashmë e ka humbur mundësinë që në këtë mbledhje të Komitetit të Ministrave të merret vendim pozitiv për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, theksoi Gashi.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka drejtuar një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, në të cilën ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Sipas saj një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?