Furnizimi me tekste shkollore, Nagavci: Janë finalizuar listat me tekstet e miratuara

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një konferencë për media ka folur lidhur me procesin e furnizimit të shkollave me tekste shkollore dhe mjete mësimore.
Nagavci tha se tashmë kanë filluar punën sa i përket çështjeve të furnizimit të shkollave me tekste shkollore.
“Janë finalizuar listat me tekstet e miratuara, janë ndarë të njëjtat me drejtoritë komunale të arsimit. Është kërkuar nga drejtoritë komunale të arsimit që katalogu të ndahet në shkolla dhe të zgjedhën nga aktivet profesionale, gjegjësisht këshillat drejtues të miratojnë lista e teksteve që propozohen për përdorim në shkollë. Të njëjta na janë dorëzuar në fund të javës së kaluar në Ministri të Arsimit… dhe tashmë janë pranuar edhe prej shtëpive botuese të dhënat e para në lidhje me negocimin e çmimeve dhe procesin deri te finalizimi i teksteve”, tha Nagavci pas mbledhjes së Qeverisë.
Ministrja e Arsimit tutje tha se puna në këtë drejtim po vazhdon.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?