Kaloni te përmbajtja kryesore

Dy shkarkime në 10 minuta: Gjyqtarja dhe prokurori nuk e kaluan vetingun

Një gjyqtare e Gjykatës së Tiranës dhe një prokuror i Shkodrës nuk e kaluan dot vetingun. Brenda një harku kohor prej jo më shumë se 10 minutash, sot paradite (28 tetor) në godinën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u morën dy vendime për shkarkim nga detyra.
Trupa gjyqësore e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo dhe Etleda Çiftja firmosën shkarkimin nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Klorinda Çela.
Ajo vetë nuk ishte e pranishme në seancë.
Prej vitit 2013, ajo ushtronte funksionin në Gjykatën e Tiranës.
Në vitin 2014, ministri i Drejtësisë i asaj kohe kërkoi shkarkimin nga detyra të saj dhe bashkëshortit Ken Dhima për shkak të problemeve me pasurinë –por kërkesa u rrëzua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Gjyqtari Dhima u shkarkua nga detyra më 29 korrik 2021, pasi nga hetimi i KPK-së rezultoi me bilanc negativ në 12 vjet, si dhe me pasuri të fshehura.
Në seancë e kaluar dëgjimore me gjyqtaren Çela, KPK ngriti dyshime se gjyqtarja e Tiranës, Klorinda Çela ka fshehur dy pasuri dhe ka mungesa financiare në vlera të mëdha të burimeve të ligjshme.
Trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja shkarkuan nga detyra prokurorin e Shkodrës, Ermir Lelçi.
Gjatë seancës së kaluar dëgjimore prokurori u pyet dhe dha shpjegime për burimet e një apartamenti që zotëron së bashku me të atin, për problemet e konstatuara në kriterin profesional dhe gjendjen në konflikt interesi./oranews

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button