Degët e LDK-së në Pejë dhe Lipjan kërkojnë dorëheqjen e Abdixhikut

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë, ka njoftuar se ka mbajtur mbledhjen e kryesisë dhe me shumicë votash kanë kërkuar nga lidershipi i LDK-së, të jap dorëheqje si akt moral, gjegjësisht nga kryetari Lumir Abdixhiku.
Në njoftimin e degës së LDK-së në Pejë, thuhet se kanë vlerësuar që përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.
Lidhja Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje është radhitur sërish e treta me 16.69% të votave.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë. Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhet në postimin në Facebook.
Edhe kryesia e degës së LDK-së në Lipjan ka mbajtur një mbledhje me kryetarët e nëndegëve për të diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit me ç’rast edhe kjo degë po kërkon dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku.
“Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet mes tjerash në postimin e kësaj dege në Facebook.
Kjo kërkesë e degës së LDK-së në Pejë dhe Lipjan për dorëheqjen e Abdixhikut është shpërndarë nga Arben Gashi i cili ka siguruar votat për të qenë deputet i legjislaturës së 11-të nga radhët e kësaj partie.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?