Daçiq pas takimit me Vuçiqin: Do të vazhdojmë partneritetin

Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se ka biseduar me presidentin e Serbisë dhe liderin e Partisë Progresive Serbe, Aleksandar Vuçiq dhe se ka rënë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy partive.
Daçiq ka thënë për Tanjug se diskutimet kanë zgjatur një orë e gjysmë dhe se është rënë dakord që të vazhdohet bashkëpunimi dhe të forcohet koalicioni SNS dhe SPS.
Marrëdhëniet mes SPS dhe SNS u përkeqësuan pas seancës së jashtëzakonshme për Kosovën, të mbajtur javën e kaluar.
Mediat raportuan se kryetari i Partisë Progresive Serbe Aleksandar Vuçiq, në mbledhjen e lartë të partisë ka thënë se është i zhgënjyer me sjelljen e socialistëve ndërkaq në një postim në Instagram ka thënë “ata më mbrojnë mua si të gjithë partnerët e mi të koalicionit”.
Në paraqitjen e tij në televizionin Pink të martën në mbrëmje, Vuçiq tha se marrëdhëniet me SPS-në janë dëmtuar dhe paralajmëroi takimin e sotëm me Daçiqin, ku do të diskutohej për marrëdhëniet e partnerëve të koalicionit.
“Asgjë nuk do të ndodhë brenda natës. Ajo që ka ndodhur tashmë ka përkeqësuar ndjeshëm marrëdhëniet tona. Ka gjëra që nuk do t’i them. Nesër do të takohem me të (kryetarin e SPS-së, Ivica Daçiq). Nuk mendoj se zgjedhjet janë një zgjidhje e mirë për vendin tonë. Ne kemi shumë probleme që duhet t’i zgjidhim”, tha Vuçiq./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?