CorrWatch: Neglizhenca e Ministrisë së Mbrojtjes shkaktoi problemin me ushqim në FSK

Iniciativa CorrWatch ka thënë se Ministria e Mbrojtjes ka kritikuar Ministrinë e Mbrojtjes për çështjen e furnizimit me ushqim për FSK-në.
Sipas tyre, kjo ministri ka neglizhuar çështjen e furnizimit me ushqim për FSK-në, pasi sipas saj, ka qenë i planifikuar që aktiviteti i prokurimit për shërbimet me ushqim të fillonte më 23 shkurt prej 13,480,000 euro, por që ministria nuk ka vepruar.
“Që nga shkurti i vitit 2024 kur për herën e dytë është anuluar AP ‘Shërbimet me ushqim.. për nevoja të FSK-së’, MM nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të iniciuar procedurë të hapur. Pas kësaj, me datë 03 prill 2024, MM ka lidhur kontratë të negociuar e cila ka skaduar me 30 shtator 2024. MM, me datë 19 shtator 2024 ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës së re në procedurë të negociuar, duke u thirrur në emergjenca ekstreme, me vlerën e kontraktuar 2,149,000.00 Euro”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga konsorciumi i organizatave i përbërë nga GLPS, GAP dhe INDEP.
CorrWatch ka sqaruar se Ministria e Mbrojtjes ka mundur të përdorë procedurat e negociuara vetëm sipas nenin 35 të Ligjit për Prokurim Publik. E, ky nen e parasheh që autoriteti kontraktues të përdorë procedura të negociuara për arsye të emergjencave ekstreme pasi ato nuk kanë pasur mundësi të parashikohen nga autoriteti përkatës kontraktues. Por, kjo nuk vlen nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme u atribuohen “veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues”, ka thënë tutje.
Sipas CorrWatch, emergjenca e shkaktuar me ushqimin i atribuohet mosveprimeve dhe neglizhencës së ministrisë.
CorrWatch i ka bërë thirrje Ministrisë së Mbrojtjes dhe të gjitha hallkave përgjegjëse që të reflektojnë mbi këto procedura të kundërligjshme.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?