Çitaku “kryqëzon” Kurtin: Mërgimtarët presin në kufi, ai iu tregon përralla me gjermanë e rusë

Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mënyrën se si po trajtohet situata me pritjet e gjata të mërgimtarëve në kufijtë e vendeve fqinje.
Sipas saj, në vend që të koordinonte veprimet me autoritetet në Zagreb dhe Podgoricë dhe të angazhonte Ministrinë e Jashtme për të lehtësuar situatën, Kurti ka zgjedhur t’u flasë mërgimtarëve për “gjermanë e rusë”.
Ajo theksoi se mërgata pret veprime konkrete nga institucionet, e jo, siç u shpreh, “ligjërata ideologjike”, duke shtuar se sjellja e Kurtit tregon shkëputje nga realiteti, “ky ose po tallet keq me qytetarët e vet, ose vërtet jeton në një univers paralel, ku Kosova qenka ajo që mbron Gjermaninë”.
Postimi i plotë:
Mërgimtarët tanë po presin me orë të tëra në kufijtë e vendeve përreth, të lodhur pas një udhëtimi të gjatë, për t’u kthyer në vendlindje.
Në vend që të merrte menjëherë kontakt me Zagrebin dhe Podgoricën, të koordinonte veprimet me autoritetet e atjeshme dhe të dërgonte Ministrin e Jashtëm për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës, Albin Kurti ka zgjedhur t’u tregojë mërgimtarëve tanë përralla me gjermanë e rusë.
Mërgata nuk ka nevojë për ligjërata ideologjike. Ka nevojë për shtet që vepron. Ky ose po tallet keq me qytetarët e vet, ose vërtet jeton në një univers paralel, ku Kosova qenka ajo që mbron Gjermaninë. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?