Cakolli: Kushtetuesja ligjet nuk i rrëzoi për përmbajtje, por për shkelje procedurale

Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dy aktgjykime me të cilat ka rrëzuar pothuajse të gjitha ligjet e miratuara në seancën e 5 dhjetorit 2024. Në mesin e ligjeve të shpallura antikushtetuese është edhe Ligji për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se asnjë nga këto ligje nuk u rrëzua për shkak të përmbajtjes.
“Gjykata nuk u mor fare me substancën e tyre. Ato u rrëzuan për shkak të shkeljeve procedurale, sepse mënyra e miratimit kishte cenuar vetë thelbin e funksionimit parlamentar”, tha Cakolli përmes një postimi në Facebook.
Për disa prej vendimeve, ai tha se komisionet parlamentare ishin obliguar të shqyrtojnë projektligje, amendamente dhe raporte brenda 5 deri në 20 minutash. Për disa të tjera, sipas tij, materialet për shqyrtim u ishin shpërndarë deputetëve pas kohës kur seanca ishte paraparë të fillonte.
Konkretisht, në rastin e Ligjit për Byronë, Cakolli tha se dokumentet u dërguan rreth 21 minuta pas orarit zyrtar të fillimit të seancës.
“Normalisht, me këso afate, shqyrtimi real parlamentar është i pamundur. Deputetët nuk kanë kohë reale për lexim, debat apo vlerësim dhe roli i tyre reduktohet në votim formal. Në këtë kontekst, një vit me përqindje rekord ligjesh të miratuara nuk është tregues suksesi, nëse ky rezultat arrihet duke anashkaluar procedurat e rregullta parlamentare”, u shpreh ai.
Sipas tij, rëndësia kryesore e këtyre aktgjykimeve qëndron në faktin se ato vendosin një standard të qartë se procedurat duhet të respektohen në plotni, përveç rasteve vërtet emergjente.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?