Kaloni te përmbajtja kryesore

Borrell takohet me liderët rajonalë në New York, theksohet mbështetja që BE-ja po u jep vendeve të Ballkanit Perëndimor

Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell të martën në New York në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara organizoi një takim informal me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit për media, këtë vit morën pjesë të gjashtë presidentët nga rajoni. Këto takime informale zhvillohen rregullisht në kuadër të bashkëpunimit të zgjeruar me partnerët e Ballkanit Perëndimor për politikën e jashtme. Ato ofrojnë gjithashtu një mundësi për shkëmbim të pikëpamjeve rreth sfidave në rajon dhe të ardhmes së tij evropiane.

Diskutimi u përqendrua në sfidat aktuale gjeopolitike globale që dominojnë agjendën në OKB këtë javë,
si dhe u fokusua në zgjerimin dhe idetë rreth integrimit gradual të partnerëve në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan si mund t’i adresojnë së bashku
pasojat e dëmshme që lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka sjellë në çmimet e ushqimeve dhe energjisë, si
dhe në stabilitetin dhe sigurinë në Evropë dhe globalisht.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell theksoi mbështetjen që BE-ja po u jep vendeve të Ballkanit Perëndimor duke e asociuar plotësisht rajonin në iniciativat e veta për zbutjen e ndikimit të agresionit të Rusisë dhe për adresimin e sfidave të tjera, duke përfshirë sigurinë energjetike, sigurinë ushqimore dhe ndryshimet klimatike.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në forume shumëpalëshe.
Në këtë kontekst, ai rikujtoi se Bashkimi Evropian pret nga të gjitha vendet kandidate të jenë partnerë të
besueshëm edhe në politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, duke përfshirë edhe përafrimin me
vendimet e BE-së në këto fusha.

Takimi ishte gjithashtu një mundësi për të diskutuar pritjet për anëtarësimin në BE në një kohë kur
politika e zgjerimit të BE-së ka marrë një momentum të ri. Përfaqësuesi i Lartë përsëriti mbështetjen e
fortë dhe të vazhdueshme të BE-së – politike, teknike dhe financiare – për të gjitha vendet kandidate dhe
kandidatët potencialë për t’u ndihmuar të avancojnë reforma kyçe politike, institucionale, sociale dhe

ekonomike që janë të nevojshme për avancim në rrugën e tyre drejt BE-së. Në takim morën pjesë Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës Zheljko Komshiq, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq, Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button