Bllokohen 5 kamionë që transportonin dru, procedohen penalisht 9 persona
Policia sot ka informuar se në Shkodër janë bllokuar 5 kamionë që transportonin rreth 40 metër kub lëndë drusore, të prera në mënyrë të paligjshme dhe janë proceduar penalisht 8 persona, për veprat penale: “Prerja e paligjshme e pyjeve”, “Fshehja e të ardhurave“ dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar pa licencë“.
Gjithashtu, është proceduar penalisht edhe një teknik pyjesh në bashkinë Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe janë proceduar penalisht shtetasit E. N. dhe Q. M., pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, në fshatin Hot të Malësisë së Madhe, duke transportuar me kamionët e tyre lëndë drusore, pa dokumentacionin përkatës. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër, janë proceduar penalisht shtetasit N. Z., R. K., A. C., M. B., A. L. dhe A. S., pasi janë kapur duke transportuar me tre kamionë, lëndë drusore, pa dokumentacion përkatës.”, ka bërë të ditur policia.
Në vijim të veprimeve, sipas policisë, është proceduar penalisht edhe shtetasi D. P., teknik pyjesh në bashkinë Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi si përgjegjës i zonës ku është konstatuar prerja dhe grumbullimi i lëndëve drusore, nuk ka marrë masat e nevojshme për parandalimin e kësaj veprimtarie./21Media

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?