Blinken në Katar me mision për arritjen e marrëveshjes për armëpushim në Gazë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti të martën në Doha për t’i vazhduar përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e pengjeve.
Megjithatë, dallimet mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – vazhdojnë të mbesin të mëdha.
Më herët gjatës ditës, Blinkeni u takua në Kajro me presidentin e Egjiptit, Abdel-Fattah El-Sisi, vendi i të cilit së bashku me SHBA-në dhe Katarin janë ndërmjetës në bisedimet disa mujore, të ndërprera kohë pas kohe, mes palëve.
Sisi tha pas takimit se ka ardhur koha t’i jepet fund luftës 10-mujore në Gazë dhe paralajmëroi se konflikti mund të përhapet në luftë të gjerë rajonale.
Gjatë vizitës në rajon, Blinkeni mbajti takime edhe në Izrael të hënën. Ai tha se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka pranuar propozimin e SHBA-së për përafrimin e qëndrimeve mes palëve, pasi bisedimet në Katar javën e kaluar përfunduan pa ndonjë përparim.
Ai i bëri thirrje Hamasit ta pranojë propozimin.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?