Bie numri i martesave në Kosovë, mbi 2 mijë çifte më pak u kurorëzuan brenda një viti

Numri i çifteve që kanë lidhur martesë në Kosovë ka shënuar rënie të ndjeshme gjatë vitit 2025. Të dhënat e publikuara tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 15.582 kurorëzime, brenda dhe jashtë vendit, që është 2.281 më pak se një vit më parë.
Numri i martesave në Kosovë ka vazhduar trendin rënës edhe gjatë vitit 2025, sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Sipas ASK-së, gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 15.582 kurorëzime, duke përfshirë martesat e regjistruara brenda dhe jashtë Kosovës.
Nga ky numër, 13.746 kurorëzime janë regjistruar brenda territorit të Kosovës, ndërsa 1.836 janë regjistruar jashtë vendit.
Krahasuar me vitin 2024, numri i përgjithshëm i kurorëzimeve ka rënë për 2.281 raste, ose 12,8 për qind, duke reflektuar një ulje të konsiderueshme të numrit të çifteve që kanë vendosur të lidhin martesë.
“Në vitin 2025, janë regjistruar 15 582 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej tyre 13 746 kurorëzime kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, ndërsa 1 836 kurorëzime kanë ndodhur jashtë Kosovës. Krahasuar me vitin 2024, numri i përgjithshëm i kurorëzimeve të regjistruara (brenda dhe jashtë Kosovës) në vitin 2025 është më i ulët për 2 281 ose 12,8 %. Numri i kurorëzimeve të regjistruara brenda Kosovës në vitin 2025 ka shënuar rënie për 2 329 raste, ose 14,5 %, krahasuar me vitin 2024. Ndërkaq numri i kurorëzimeve të regjistruara jashtë Kosovës është rritur për 48 raste, ose 2,7 %, krahasuar me vitin paraprak”.
Rënia është edhe më e theksuar te kurorëzimet e regjistruara brenda Kosovës. Sipas statistikave, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 2.329 martesa më pak sesa në vitin paraprak, që përfaqëson një rënie prej 14,5 për qind.
Në anën tjetër, kurorëzimet e regjistruara jashtë Kosovës kanë shënuar një rritje të lehtë. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 48 raste më shumë se në vitin 2024, ose një rritje prej 2,7 për qind.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?