Beteja ligjore në Gjykatë Kushtetuese vijon të enjten. Dervishaj: Nuk ka shkarkim të Ilir Metës
Gjykata Kushtetuese ka shtyrë seancën për të enjten për shqyrtimin e shkarkimit të Metës.
Seanca do të nisë në orën 10:00.
Kërkesa për shtyrjen e seancës është bërë nga përfaqësuesi ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, i cili kërkoi që kreu i shtetit të njihet me përgjigjet e ardhura nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në një prononcim për median pas daljes nga Gjykata Kushtetuese Përfaqësuesi ligjor i presidentit, Ilir Meta, Bledar Dervishaj ka thënë se presidenti nuk ka asnjë shqetësim dhe do ta ndjekë deri në fund këtë gjykim.
“Nuk ka shkarkim sepse nuk ka cështje për shkarkim”, ka thënë Dervishaj per gazetarët i pyetur nëse presidenti do zbatojë vendimin e Gjykatës nëse ka të bëjë me shkarkimin e tij.
Më tej ai ka sqaruar se këto dy ditë do i shërbejnë presidentit për tu njohur me përgjigjet e Kuvendit ndaj pyetjeve të gjykatës.
“Dëgjuam me vëmendje përgjigjet e Kuvendit të Shqipërisë për të gjitha pyetjet e gjykatës. Konstatojmë në fakt se çështja e legjitimitetit të përfaqësuesit të parlamentit është shumë e rëndësishme. Shumë përgjigje të përfaqësuesve ishin kontradiktore. Nga konsulta me presidentin ai kërkonte të njihej me përgjigjet e kuvendit. Jemi gati edhe nesër, por së pari të njihet presidenti me këto përgjigje. Kërkojmë të shtyhet seanca qoftë edhe për nesër. T’i çojmë presidentit përgjigjet”, ka thënë Dervishaj.
Prej orës 10:00 te paradites së sotme në Gjykatën Kushtetuese vijoi shqyrtimi i vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, të cilin shumica socialiste e akuzoi për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe se u përfshi duke u bërë palë në zgjedhjet parlamentare të 25 prilli
Seanca u mbyll rreth orës 19:00./oranews
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?