Belgjika ngre shkallën e paralajmërimit për sulm terrorist

(Lajm i përditësuar)
Sulmi në Bruksel, Macron: Evropa jonë është e tronditur
Presidenti francez, Emmanuel Macron reagoi në lidhje me sulmin në Bruksel, ku u vranë dy shtetas suedez.
Nga Pallati i Brigadave në Tiranë, ku u nderua nga kryeministri Edi Rama, Macron e hapi fjalën e tij duke thënë se gjendej para të pranishmëve, teksa Europa është e tronditur nga sulmi.
“Gjendem këtu para jush ndërkohë që Franca u prek nga një sulm terrorist javën e kaluar, preku një profesor të frengjishtes, barbaria goditi përsëri duke sulmuar ata që mësojnë këtë gjuhë, që prej shekujsh shpërndan vlera, ndriçim, shpresë dhe juve e përmendët plotësisht këtu. Gjendem këtu para jush ku para disa minutash, Brukseli u godit nga një atentat terrorist, që i mori jetën dy europianëve, dy suedezëve. Evropa jonë është e tronditur “, tha ai.
Belgjika ngre shkallën e paralajmërimit për sulm terrorist
Autoritetet belge kanë ngritur në nivelin më të lartë shkallën e paralajmërimit për terrorizëm, pasi të hënën mbrëma dy shtetas suedezë u qëlluan për vdekje në Bruksel.
Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, e ka lidhur sulmin me “terrorizëm”.
Kryeministri belg e lidh me “terrorizëm” vrasjen e dy suedezëve në Bruksel
Kryeministri i Belgjikës, Alexander de Croo, e ka lidhur me “terrorizëm” vrasjen e dy shtetasve suedezë në qendër të Brukselit të hënën mbrëma, raporton agjencia “AP”.
“Unë i kam ofruar ngushëllimet e mia të sinqerta kryeministrit të Suedisë pas sulmit shqetësues të sotëm ndaj shtetasve suedezë në Bruksel. Si partnerë të ngushtë, lufta kundër terrorizmit është e përbashkët”, ka shkruar De Croo në platformën “X”.
Të shtëna me armë në qendër të Brukselit, dy të vdekur
Dy persona janë qëlluar për vdekje në Bruksel të hënën mbrëma.
Sipas agjencisë “AFP” sulmuesi është ende në arrati, është thënë nga prokuroria belge.
Zëdhënësja e Prokurorisë ka thënë se ka nisur një hetim, porse nuk ka dashur të spekulojë për motivet e sulmit.
Mediumet lokale kanë raportuar se viktimat besohet se janë suedezë.
Suedia është duke luajtur me Belgjikë në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2024” në futboll, por nuk është e qartë nëse viktimat kishin udhëtuar në Belgjikë për ndeshjen e futbollit.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?