Kaloni te përmbajtja kryesore

BE-ja nuk përgjigjet për arrestimin në Serbi, konfirmon përfshirjen e EULEX-it në Zubin Potok

Bashkimi Evropian nuk është përgjigjur drejtpërdrejt për arrestimin në Serbi të një personi nën dyshimet për spiunazh, pas zbulimit të varrezave masive, apo për rolin e Serbisë në pengimin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Në përgjigjen për RTV21, një zëdhënës i BE-së ka konfirmuar se ekspertët e EULEX-it po marrin pjesë aktivisht në operacionin e zhvarrimit në Zubin Potok.

“Ne konfirmojmë se ekspertët mjekoligjorë nga Ekipi i Mjekësisë Ligjore i EULEX-it kanë asistuar homologët e tyre nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës (IML) në një vlerësim të vendit, që synonte lokalizimin e një vendvarrimi të mundshëm të pashënuar me persona të zhdukur në Zubin Potok. Ekspertët e EULEX-it janë duke marrë pjesë aktivisht në operacionin e zhvarrimit të rifilluar në vendngjarje nga IML-ja. EULEX-i nuk po zhvillon asnjë lloj hetimi penal, gjë që është kompetencë e autoriteteve të Kosovës. Ndihma për të hedhur dritë mbi fatin e atyre personave që ende janë të zhdukur nga konflikti mbetet një element shumë i rëndësishëm i Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur, i themeluar në bazë të Deklaratës së vitit 2023 dhe i kryesuar nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, ekziston pikërisht për të mbikëqyrur zbatimin e asaj Deklarate, për të ndihmuar në qartësimin e fatit të atyre që ende janë të zhdukur dhe për t’u dhënë fund pasigurisë së familjeve dhe të dashurve të tyre. BE-ja ka ofruar financim për Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës (IML) në mbështetje të këtyre përpjekjeve.”

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button