Kaloni te përmbajtja kryesore

BE-ja dënon deklaratën e ministres serbe: Në Evropë s’ka vend për retorikë që justifikon dhe mbështet spastrimin etnik

Duke komentuar deklaratën e ministres serbe për spastrim etnik në Kosovë, zëdhënësja e BE-së Anitta Hipper në një konferencë për media tha se deklaratat e tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimin, llogaridhënien dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mbi të cilat është ndërtuar BE-ja.

“Parimi themelor është se nuk duhet të ketë vend dhe nuk ka vend në Evropë për retorikë që justifikon dhe mbështet spastrimin etnik. Deklaratat e tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimin, llogaridhënien dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mbi të cilat është ndërtuar BE-ja. Gjithashtu bien ndesh me përkushtimet e bëra nga Serbia në kornizat e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Prandaj ne presim nga të gjithë liderët që të sillen me përgjegjësi dhe të përmbahen nga çdo retorikë nxitëse dhe njëkohësisht të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi të besimit dhe stabilitetit rajonal”, tha Hipper.

Hipper tutje shtoi se BE-ja është e përkushtuar edhe për identifikimin e personave të zhdukur dhe jo vetëm përmes procesit të dialogut.

“Nuk ka vend për një retorikë të tillë dhe siç u tha ka pasur një numër deklaratash gjatë këtyre viteve. Sa i përket rëndësisë dhe njohjes së fakteve dhe gjithashtu nderimit të viktimave dhe njëkohësisht edhe mbështetjes për identifikimin e personave të zhdukur dhe për promovimin e një bashkëjetese paqësore ndërmjet njerëzve kjo është diçka që ne po bëjmë edhe në dialogun e lehtësuar dhe gjithashtu në procesin e zgjerimit”.

Për deklaratën e ministres serbe reagoi edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë e cila në një përgjigje për rtv21 tha se mbështet qëndrimin e BE-së për këtë çështje

“Ambasada gjermane i bashkohet BE-së në qëndrimin e saj të qartë dhe të palëkundur se në Evropë nuk ka vend për retorikë, justifikim apo promovim të spastrimit etnik”.

Lidhur me deklaratën e ministres serbe RTV21 iu drejtua edhe Ambasadës së SHBA-së në Kosovë e Beograd si dhe asaj të Francës e Britanisë së Madhe në Prishtinë por deri më tani nuk morëm ndonjë përgjigje.

Ndaj deklaratës së ministres serbe, Paunoviq kanë reaguar edhe autoritetet në Kosovë.
Ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti, ka thënë se kjo deklaratë tregon që Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale.

Derisa Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës ka thënë se “përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button