Bashkëpunimi i Osmanit me opozitën për Asociacionin, Halimi: Osmani ka mundur të bëjë shumë më tepër

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi është deklaruar për paralajmërimin e Presidentës së Kosovës, Vjosa Osmanit për një takim me partitë opozitare në lidhje me draft statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe sa i përket bashkëpunimit me opozitën.
Në një përgjigjie për RTV21, Halimi ka thënë se deri më tani nuk kanë parë ndonjë angazhim serioz të Osmanit në këtë drejtim.
Sipas Halimit, Osmani ka mundur të bëjë shumë më tepër në këtë drejtim.
“Bashkëpunimi i Presidentes me opozitën për tema të rendesishme, është krucial për demokracinë në vendin tonë. Megjithatë, deri më tani nuk kemi parë ndonjë angazhim serioz të saj në këtë drejtim. Si një palë e tretë, që mirëmban unitetin e popullit dhe që ushtron balanc dhe kontroll të pushteteve dhe e neutrale në qëndrime partiake siç ia kërkon detyra, znj. Osmani ka mundur të bëjë shumë më tepër në këtë drejtim. Angazhimi pas proceseve të mbyllura është joproduktiv dhe nuk është se sjellë ndonjë rezultat konkret. Të tilla procese aq të rëndësishme duhet t’u prihet me diskutime e debate para dhe gjatë procesit, jo pasi që janë arritur ujdi dhe marrëveshje me një magnitudë të tillë, siç është rasti me Asociacionin”, thuhet në përgjigjen e LDK-së./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?