Barazhi dramatik përcakton ekipin e ri në Superligë

Penalltitë kanë përzgjedhur skuadrën e re që do të luajë në ligën më të fuqishme të futbollit në Kosovë.
Llapi dhe Vushtrria kanë përballur forcat në ndeshjen e barazhit për të siguruar një vend në Superligë.
Vushtrria kërkoi kthimin në Superligë pas pesë vjetësh, ndërsa ekipi i Llapit shpëtimin në ligën elitare të Kosovës në futboll.
Ndeshja, e cila u zhvillua në prani të shtatë mijë shikuesish në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, përfundoi në kohën e rregullt dhe në vazhdimet dy herë nga pesëmbëdhjetë minuta me rezultat të bardhë – zero me zero, raporton KosovaPress.
Arianit Hasani i skuadrës së Llapit pati rastin më të mirë për të shënuar në minutën e fundit, por portieri vushtrrias Shala evitoi për mrekulli një gol të sigurt.
Vushtrria mbeti me një lojtar më pak në terren në vazhdimin dy herë nga 15 minuta, pasi Daut Maxhuni u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Skuadra e Vushtrrisë edhe me dhjetë lojtarë në fushë pati rast të mirë shënimi, por Statovci nuk u tregua preciz.
Në penallti skuadra më e saktë u tregua Llapi duke fituar me rezultat 4:1. Për Llapin nga penalltitë shënuan Ramadani, Hasani, Emini, Huesini. Ndërsa për Vushtrrinë Statovci e Hyseni dështuan dhe një gol shënoi Angelov.
Kujtojmë, Llapi në edicionin e rregullt të Superligës zuri vendin e tetë, me 47 pikë nga 36 ndeshje. Nga liga kanë rënë skuadrat Suhareka dhe Feronikeli 74. Vushtrria u rendit e dyta në Ligën e Parë – grupi B me 64 pikë nga 26 ndeshje. Prishtina e Re u rendit e para me 66 pikë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?