Bajrami: Hipokrizi që VV-ja të apostrofojë partitë e tjera me Listën Serbe, kur ekzistojnë përgjimet me Mimoza Kusarit

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, është kthyer për të dytën herë në hollin e Kuvendit të Kosovës para mediave, pas deklarimit të Albulena Haxhiut e Hekuran Muratit nga LVV.
Bajrami u ka reaguar pasi Haxhiu e Murati kritikuan partitë e tjera për mosvotimin e Nenad Rashiqit për nënkryetar nga komuniteti serb. Ajo ka përmendur publikimin e përgjimeve të Mimoza Kusarit me Milan Radoiçiqin, duke e quajtur “hipokrizi” që VV-ja të akuzojë partitë e tjera për bashkëpunim me Listën Serbe.
“Është hipokrizi me dalë para mediave dy eksponentë të VV-së dhe me apostrofuar parti të tjera se kinse jemi me Listën Serbe. Ndërkohë që janë përgjimet e Mimoza Kusarit duke qenë shefe e 58 deputetëve, me Listën Serbe dhe Milan Radoiciqin. Ata që ne na quajnë bashkëpunëtorë të tyre, keni dëshmi se kanë bashkëpunuar për vota për të zgjedhur persona në Kushtetuese dhe Ligjin për veteranët”, ka thënë ajo.
Bajrami ka shtuar se VV-ja e ka pasur mundësi ta shpallë terroriste Listën Serbe, por nuk e ka bërë.
Sipas Bajramit, Vetëvendosja nuk i ka as numrat për qeverinë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?