Kaloni te përmbajtja kryesore

AUV: Në kontrolle të qumështit u gjetën 93 mospërputhje, u zbulua vaj palme të padeklaruar në disa produkte

Ministria e Bujqësisë ka bërë të ditur se kontrollet e intensifikuara në sektorin e qumështit kanë evidentuar parregullsi në përdorimin e qumështit pluhur dhe përbërësve zëvendësues, si dhe dyshime për përdorim të paligjshëm të ujit në kompaninë “Abrazen” (Vita).

Sipas Ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, inspektimet janë zhvilluar në pikat kufitare, njësitë prodhuese dhe tregun vendor, me qëllim verifikimin e cilësisë së produkteve dhe mbrojtjen e sektorit të qumështit.

Në konferencën për media, ai theksoi se operatorët kryesorë që importojnë qumësht pluhur janë “Abrazen” dhe “Drena”, ndërsa janë konstatuar raste të përdorimit të qumështit pluhur pa u deklaruar në etiketë.

“Sektori i qumështit përballet me tri sfida kryesore. E para vjen nga produktet e gatshme të importuara, e dyta nga përdorimi i përbërësve zëvendësues të qumështit dhe e treta nga tendenca për të zëvendësuar yndyrnat natyrale të qumështit me vajra dhe yndyrna bimore”, tha ai.

Kryeshefi i AUV-së, Bekim Hoxha, bëri të ditur se gjatë kontrolleve në treg, njësi prodhuese, depo dhe pika kufitare janë identifikuar 93 mospërputhje në përbërjen e produkteve. Sipas tij, 46 prej tyre lidhen me deklarimin e vajit të palmës, duke e bërë këtë përbërës shkeljen më të shpeshtë të konstatuar.

Hoxha tha se në 91 për qind të rasteve me mospërputhje, përbërësit nuk ishin deklaruar në etiketë, ndërsa në disa raste produktet nuk posedonin autorizimet e nevojshme për përdorimin e vajit të palmës ose të qumështit pluhur.

“Nga 471 mostra me rezultate: 381 mostra (81%) janë analizuar për përmbajtjen e yndyrës, 329 mostra (69%) për përmbajtjen e proteinës, 314 mostra (67%) për profilin e acideve yndyrore, 43% e mostrave për praninë e niseshtes, ndërsa 9.6% e mostrave për praninë e qumështit pluhur”, tha Hoti.

Drejtori i Laboratorit të AUV-së, Kujtim Uka, prezantoi të gjeturat e analizave laboratorike, sipas të cilave në disa produkte të qumështit është detektuar vaj palme që nuk ishte deklaruar në etiketë.

Sipas Ukës, prania e vajit të palmës të padeklaruar është konstatuar në produkte të kompanive të ndryshme, ndër to “Abrazen” (Vita), “Drena”, “Ajka” SH.P.K e të tjera. Ai sqaroi se këto rezultate kanë dalë nga analizat e mostrave të marra gjatë kontrolleve në kompani të ndryshme të qumështit në Kosovë.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button