Apeli zbut dënimin e të dënuarit nga Gjykata e Pejës për dhunimin e 15-vjeçares

Një dosje e pluhurosur në gjykatë, e zbuluar nga KALLXO.com, nxori në pah njërin prej skandaleve më të mëdha të Gjykatës së Pejës në vitet e fundit.
Një vajzë 15-vjeçare nga Gjakova ishte dhunuar seksualisht gjatë tërë natës nga tre djem.
Në një proces skandaloz Gjykata e Pejës e kishte dënuar dhunuesin me vetëm 8 muaj e 8 ditë burg, duke neglizhuar çdo rrethanë rënduese të këtij rasti dhe duke e lënë dhunuesin me një dënim ekstremisht të ulët.
Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Pejës, kështu duke i shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas ricilësimit të veprës penale – dhunim.
‘’Nga neni 193 par.3 pika 5 lidhur me par.4 lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës duke e ricilësuar në veprën penale Dhunim nga neni 193 par.4 lidhur me nenin 23 të KPK-së’’ – thuhet në vendimin, të cilin e ka siguruar KALLXO.com.
Sipas vendimit të Apelit, ky ndryshim vjen për faktin se kjo formë e kryerjes së veprës penale është formë e rëndë e kryerjes së kësaj vepre, bazuar në dënueshmërinë e paraparë me burgim, prej 5 deri në 20 vjet.
‘’Kjo formë cilësuese, e konsumon formën më të lehtë të cilësimit juridik të një vepre penale’’ – thuhet tutje në vendim.
Sipas Gjykatës, kjo qëndron edhe për faktin se nuk mund të qëndrojnë dy forma cilësuese të një vepre penale, të parapara me dënime të ndryshme sikurse në rastin konkret sepse e përjashtojnë njëra-tjetrën.
“Ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë i datës 15 mars 2023 përkitazi me cilësimin juridik të veprës penale dhe vendimit mbi dënimin, ashtu që në veprimet e të akuzuarit formësohen elementet e figurës së veprës penale Dhunimi dhe të njëjtit i shqiptohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 8 muajsh në vitin 2012“ – thuhet në vendimin e Apelit.
Ky vendim është marrë nga kolegji i gjyqtarëve në përbërje prej Kadrije Goga-Lubishtanit – kryetare e kolegjit, Beqir Kalludra – gjyqtar referues dhe Zyhdi Haziri – anëtar, më 31 maj të këtij viti.
Lidhur me aktgjykimin e Gjykatës së Pejës, ankesë kishin ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit P.K., Ylli Bokshi, për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal, vendimit lidhur me sanksionin penal dhe vendimit lidhur me shpenzimet e procedurës penale.
Edhe Prokuroria e Pejës kishte ushtruar ankesë ndaj këtij aktgjykimi sa i përket vendimit mbi sanksionin penal duke kërkuar shqiptim të dënimit më të lartë.
I akuzuari P.K. ishte dënuar me datë 16.02.2023, nga Gjykata e Pejës, me të cilin është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 5 vjet e gjashtë muaj për veprën penale – dhunim. Ndërsa me aktvendim të veçantë është caktuar masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të bëhej i plotfuqishëm.
Nga pretendimi i mbrojtjes së të akuzuarit gjykata e shkallës së parë ka shkelur parimet themelore të së drejtës penale, përkatësisht në procedurën e rigjykimit, nuk e ka respektuar institutin Reformatio in Peius.
Neni 395 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës sqaron institutin Reformatio in Peius: ‘’Në qoftë se është paraqitur ankesë vetëm në dobi të të akuzuarit, aktgjykimi sa i përket cilësimit juridik të veprës dhe sanksionit penal nuk mund të ndryshohet në dëm të tij’’.
Gjykata e Apelit këtë pretendim të mbrojtjes e ka gjetur të bazuar dhe të njëjtin e ka aprovuar duke ndryshuar aktgjykimin dhe duke e evituar këtë shkelje, meqenëse kjo shkelje mund të evitohet duke ndryshuar aktgjykimin pa e anuluar të njëjtin.
Tutje Gjykata e Apelit ka konstatuar se shkelja e ligjit penal është evituar duke e respektuar detyrimisht institutin Reformatio in Peius, dhe duke e ndryshuar aktgjykimin e ankimuar përkitazi me shqiptimin e dënimit, i cili në rastin konkret nuk ka mundur t’i shqiptohet të akuzuarit, dënim më i rëndë se dënimi i shqiptuar në gjykimin e parë.
Sipas vendimit të Gjykatës, “instituti Reformatio in Peius pavarësisht rrethanave ekzistuese rënduese të rastit, gjykata detyrimisht është e lidhur më këtë institut” dhe se “Në mungesë të ankesës së prokurorit ose përfaqësuesit të të dëmtuarës kundër aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut të Pejës të datës 6 nëntor 2012, të akuzuarit P.K. nuk mund t’i shqiptohet dënim më i lartë, se sa dënimi i shqiptuar më atë aktgjykim, pavarësisht se lënda është kthyer në rigjykim.
Sipas vendimit të gjykatës, duhet pasur për bazë edhe faktin se një ndalesë e tillë qëndron edhe për vendimet e formës së prerë. /kallxo
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?