Kaloni te përmbajtja kryesore

Ambasadori amerikan dhe Presidentja vendosin lule pranë shtatores së ish-presidentit Rugova

Në ditën e parë të punës si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka përkujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.
Bashkë me kryetaren e shtetit, Vjosa Osmani, ambasadori amerikan ka vendosur lule pranë shtatores së presidentit historik për të cilin ka thënë se duhet nderuar e përkujtuar.
“Mendoj se ishte e rëndësishme për mua në ditën e parë si ambasador i ri të shpreh këtë mirënjohje, këtë nderim duke e ditur atë çfarë ka përfaqësuar presidenti Rugova, kam pasur nderin që ta njoh presidenti Rugova gjatë procesit të Rambujesë dhe e di se për çka ka luftuar ai dhe mendoj që është e rëndësishme që edhe ta përkujtojmë, edhe ta nderojmë”, ka thënë ambasadori Hovenier.
E presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ish-presidenti Rugova ka ndërtuar miqësi të cilat i kanë rezistuar kohës.
“Si themeltar i shtetit të Kosovës ai diti të ndërtojë jo vetëm hapat drejt shtetit tonë të pavarur dhe sovran por të ndërtojë miqësi të sinqerta, miqësi të forta të cilat i kanë rezistuar kohës dhe do të vazhdojnë të ujiten e lulëzojë edhe më tej nga ana e secilit prej nesh. Në nderim të këtij njeriut të madh të kombit tonë i cili dha shumë për Kosovën e pavarur dhe sovrane dhe për miqësitë që ne sot i gëzojmë, së bashku me ambasadorin e shteteve të Bashkuara të Amerikës deshëm që sot s simbolikë e kësaj miqësie të fortë ta vendosim këtë kurorë këtu së bashku”, ka thënë presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Hovenier është emëruar në këtë post nga presidenti amerikan Joe Biden në korrik të vitit 2021.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button