Albin Kurti propozohet për kryeministër

(Lajm i përditësuar)
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ka propozuar kryetarin e kësaj partie, Albin Kurti, për kryeministër të Kosovës.
Konjufca tha se verdiktin e ka dhënë populli.
“E kur jemi te qeveria jonë e ardhshme, më lejoni që ta propozoj për kryeminsitër para këtij Këshilli të Përgjithshëm kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti”, tha ai.
Ai tha se Kurti do të bëhet për herë të tretë kryeministër “sepse do ta kemi Qeverinë Kurti 3”.
Kurti s’ka marrë asnjë votë kundër nga Këshilli i Përgjithshëm, kësisoj ai është kandidati i VV-së për kryeministër të Qeverisë së re.
Konjufca ka thënë se krizat politike nuk vijnë nga qielli dhe as nuk rrinë pezull.
Sipas tij, edhe Gjykata Kushtetuese i kontribuoi krizës.
“Qasja e saj ishte më shumë politike se kushtetuese. Kushtetuesja është para një vendimi të madh. Gjykata nuk ka çfarë të interpretojë më tej Kushtetutës. Ose do të hapet rruga që Kuvendi do të vazhdojë ose do të vazhdojmë në zgjedhje të reja. Skenari i tretë është më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, një skenar që ja jep Listës Serbe dhe Beogradit, të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jetë peng i Listës Serbe. Ne e kemi Kuvendin dhe do ta kemi qeverinë”, ka thënë ai.
LVV sot vendos për kandidatin për kryeministër
Lëvizja Vetëvendosje po mban mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm, ku fillimisht është bërë e ditur se ata do të zgjedhin kandidatin e tyre për kryeministër të Kosovës.
Kjo u tha nga drejtuesja e këshillit, Arbërie Nagavci.
Kjo është bërë përkundër faktit që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar punën e Kuvendit të Kosovës deri në fund të shtatorit pas ankesës së Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarëve.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?