Kaloni te përmbajtja kryesore

Afera e grurit, Krasniqi: Nuk ka ku shkon më poshtë se kaq

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas përgjimeve të publikuara sot ku flitet për mungesën e grurit nga zyrtarë të MINT-it, duke thënë se “nga keqpërdorimi i qindra miliona eurove në energji, sot, Qeveria e Albin Kurtit, me emblemën e rreme të shpresës në ballë, ka futur duart edhe në sofrat e qytetarëve, duke vjedhur edhe produktet bazike ushqimore të rezervës shtetërore”.

I pari i PDK-së tha se kjo aferë është “vulë e mentalitetit qeverisës të këtij pushteti të përqëndruar në korrupsion e keqpërdorim”.

“Nuk ka ku shkon më poshtë se kaq. Apo ka?”, pyeti ai.

“Në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve, kjo Qeveri u koordinua edhe me një kriminel si Radojçiqi. Kundër shtetit dhe të ardhmes së qytetarëve, kjo Qeveri i tensionoi raportet me aleatët tanë ndërkombëtarë. Kjo tufë keqbërësish i solli edhe sanksione Kosovës, ndërsa politikat e tyre të çoroditura po e shpopullojnë vendin anembanë – vetëm gjatë qeverisjes së Albin Kurtit gati 150 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendlindjen në kërkim të perspektivës diku në shtetet perëndimore. Derisa aferat dhe skandalet korruptive po shumëfishohen, tri nga elementet bazë që e përbëjnë shtetin e së drejtës sot po i mungojnë Kosovës: transparenca, llogaridhënia, drejtësia! Por, që të trija këto do t’i kërkojmë e do t’i realizojmë – deshën apo s’deshën pushtetarët e sotëm. Kjo Qeveri nuk përfaqëson më vullnetin e qytetarëve. Kjo Qeveri nuk i mbron më interesat e shtetit. Zgjedhjet e reja dhe rikthimi i mandatit tek qytetarët janë e vetmja zgjidhje përpara. Sa më parë, aq më mirë – edhe për shtetin edhe për qytetarët!”, u shpreh Krasniqi në Facebook. /21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button