Abdixhiku: Kurti me aparatin qeveritar të tij ndanë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Pas rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni të Veriut, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se sikur shqiptarët të bëheshin bashkë, me një kandidat, ata sot do të ishin në balotazh dhe do të merrnin rezultat historik.
Por, tha Abdixhiku, shqiptarët u ndanë dhe në këtë ndarje, kryeministri, siç e quajti ai, popullist i Kosovës, Albin Kurti dhe gjithë aparati qeveritar i tij, u bënë akterë aktivë.
“Nga zyra e Kryeministrisë, Kosova, institucionet e Republikës, në vend të përpjekjes për përbashkim, bënë atë që dinë të bëjnë mirë – të përçajnë e ndajnë! Bënë fushatë, bënë propagandë, ndotën njërin kandidat, për të përfunduar megjithatë në fund me rezultat katastrofal. Fituesit i uroj që pavarësisht sulmeve institucionale nga Kosova, ruajtën maturinë. Ruajtën Kosovën. Humbësit, le të shikojnë nga përfaqësuesit e vet që u shndërruan në instrumente populliste të një partie polarizuese që përveç terr e përplasje – nuk di tjetër”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ndër tjera Abdixhiku tha se Kosova duhet t’i rikthehet politikës unifikuese e përafruese mbarëshqiptare.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?