Abdixhiku: Kurti ka zgjedhur ta instrumentalizojë opozitën, për këtë ka gjetur aleatin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar pas refuzimit të takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka publikuar një qëndrimet e partisë që drejton duke thënë se zgjidhja është që Kurti të japë dorëheqje e pastaj të shpërndahet Kuvendi.
“Pas tre vjet e gjysmë populizëm dhe pa ndonjë progres thelbësor, pas tre vjet e gjysmë polarizimi, ndarjeje shoqërore e nxitje të propagandës pa asnjë konsideratë njerëzore e politike, Kryeministri i Kosovës ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh.Fatkeqësisht, në këtë instrumentalizim, ka gjetur aleatin.LDK-ja nuk e pranon këtë instrumentalizim në asnjë rrethanë.”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Kujtojmë se në darkën e ftuar nga Kurti, nga krerët e partive opozitare ishte i pranishëmm vetën ai i PDK-së Memli Kraniqi.
Po ashtu thuhet se LDK është e gatshme për zgjedhje.
“Për këtë, duhet dorëheqja e Kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data. Ky është rendi i gjërave.
LDK-ja konsideron se, në këto ditë vendimtare, fokusi i institucioneve dhe i partive politike duhet të jetë te çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, proces të cilin, me papërgjegjshmërinë e tij, e ka rrezikuar rëndë vetë Kryeministri.”, thuhet në reagim
“LDK-ja e refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë. LDK-ja thërret për një unitet të djathtë gjithëkombëtar, si lidhje përtejpartiake, si lëvizje shpëtimtare. Gjendja e tanishme, politike, ekonomike, diplomatike e sociale kërkon lidership të ri në Kosovë. Rëndesa ekonomike, pagat e ulëta, çmimet e larta, sistemi shëndetësor i rrënuar e arsimi i mbetur prapa, sikurse dhe ngecjet enorme integruese për në BE e anëtarësuese për në NATO, po shkaktojnë çdo ditë zbrazjen e Kosovës, me nga 173 qytetarë duke u larguar nga vendi ynë çdo ditë e secilën ditë.LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje të prearanzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave. LDK-ja fton të gjitha palët politike, që në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të Kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur.”, përfundon reagimi./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?