Kaloni te përmbajtja kryesore

Prokuroria Speciale ka reaguar pas deklaratave të Haxhiut: Do t’i shkojmë deri në fund çdo rasti

Prokuroria Speciale ka shprehur shqetësim ndaj deklaratave të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, e cila tha se kjo prokurori po i hakmerret Qeverisë Kurti, duke komentuar rastin e rezervave shtetërore.

Specialja ka thënë se do t’i shkojë deri në fund çdo rasti që është në dëm të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, pavarësisht se kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë dhe çfarë bënë.

“Në këtë aspekt, theksojmë se deklarimet e tilla burojnë dhe artikulohen nga pasaktësitë maksimale, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë tërësisht tendencioze ndaj kësaj prokurorie, sepse të thuash se PSRK-ja kontrollon dhe mbikëqyrë vendimet e krejt sistemit prokurorial kinse për verifikimin dhe shkeljen e mundshme të ndonjë ligji, vërtet është një nonsens i llojit të veçantë publik, i padëgjuar dhe krejtësisht imagjinar, gjë që na bënë të vijmë në përfundim se deklaratat e tilla ngritën dhe shuhen në kuadër të spekulimeve, sepse servohen vetëm për nevoja të agjendave ditore politike.PSRK-ja bënë me dije se kompetencat dhe veprimtaria e saj në kuadër të Prokurorit të Shtetit nuk janë hartuar dhe nuk zbatohen me paragjykime nga askush dhe nuk realizohen në bazë të vullnetit të dikujt jashtë sistemit prokurorial, por përbëjnë ligjshmëri, legjitimitet dhe profesionalizëm, me anët të realizimit të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të ngushtë me akterët në kuadër të sistemit prokurorial dhe me të gjitha institucionet e tjera në suaza të kompetencave përkatëse, si dhe duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim.

Specialja i ka bërë thirrje Ministres Haxhiu “që më në fund të fillojë të përmbahet nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe nënçmuese ndaj PSRK-së dhe ndaj punës së Kryeprokurorit dhe prokurorëve të saj, sepse kjo përbën tendencë të hapur për të ndikuar në punë, për të ndërhyrë në kompetencat dhe në veprimtarinë legjitime të kësaj prokurorie dhe ndaj punës së prokurorëve të shtetit dhe nuk ka se si të quhet ndryshe përveç se si tentativë e pathemeltë dhe e dështuar.”.

Ndryshe, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke komentuar rastin rezervave shtetërore, tha se Prokuroria Speciale po i hakmerret qeverisë Kurti.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button