Ibrahimi: Asnjë investor nuk investon në një vend që është nën sanksione ekonomike nga BE

(lajm i përditësuar)
Ibrahimi: Asnjë investor nuk do merrte guximin të investojë në një vend i cili është nën sanksione ekonomike nga BE
Drejtori i Klubit të Bizneseve, Ilir Ibrahimi, ka thënë se masat ndëshkuese të BE-së e kanë afektuar ekonominë e Kosovës dhe se po vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën.
“Vendi është nën sanksione, kryesisht nën sanksione ekonomike. Një vend nën sanksione ekonomike nuk pritet që të ketë prosperitet ekonomik. Pra efektet do të jenë të gjithanshme”, tha Ibrahimi në Click të RTV21.
“Asnjë investor serioz nuk do të merrte guximin që të vijë të investojë në një vend i cili është nën sanksione ekonomike nga Bashkimi Evropian”, shtoi ai.
Rafuna: Dhjetëra miliona euro nuk kanë hyrë në Kosovë, shkak masat e BE-së (VIDEO)
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se bizneset e vendit po humbin, pasi nuk po mund të marrin fonde për shkak të masave të BE-së.
“Do të thoja se gjendja nuk është e mirë. Vetë mesazhi i atyre masave nuk është i mirë për ekonominë e vendit, sidomos kur kemi shumë nevojë për investime të huaja. Nëse një investitori i shfaqen masat, kjo nuk është mesazh i mirë”, tha Rafuna në Click të RTV21.
Rafuna po ashtu tha se shkaku i masave, dhjetëra miliona euro nuk janë futur në Kosovë.
“Dëmi është material. Po flasim për dhjetëra miliona euro që nuk janë futur në Kosovë”, deklaroi ai.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?