Murati: Komunat kanë afat deri më 16 shtator ta miratojnë zbritjen

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e ka quajtur absurde dhe hipokrizi paralajmërimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës për dërgimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.
“Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Komunat apo kuvendet komunale e kanë të domosdoshme të marrin vendime 30 ditë pas hyrjes në fuqi, data e fundit pra 16 shtator. Pra tash u takon kuvendeve komunale që deri më 16 shtator ta miratojnë zbritjen për qytetarët e secilës komunë. Kjo po ashtu përkon me afatin e këstit të dytë, që është 30 shtator. Pra më 16 shtator secili qytetar mund ta dijë sa prej tatimit në pronë do t’u falet nga komuna e tyre. Kjo tashmë ekziston dhe ka bazë ligjore për të. Duhet të merret vendimi nga komunat”, ka deklaruar ai.
Ministri Murati pas mbledhjes së Qeverisë, theksoi se ligji ka hyrë në fuqi dhe nuk mund të bllokohet.
“Ka një lloj hipokrize sa i përket çështjeve të halleve që i qajnë. Është e pavërtetë që dëmtohet buxheti i komunave. Deri në datën e djeshme janë mbledhur 32.3 milionë euro. Kjo është vetëm një lojë e disa prej komunave dhe në këtë rast e AKK-së”, u shpreh ai.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?